Një delegacion i MSh-së në Kongresin e turizmit shëndetësor në Turqi
Prishtinë, 20 nëntor - Zëvendësministri i Shëndetësisë Dr. Kadir Hyseini dhe Sekretari i Përgjithshëm Dr. Gani Shabani po marrin pjesë në Kongresin e VII-të ndërkombëtar të turizmit shëndetësor, i cili po mbahet në Stamboll. Në këtë kongres po marrin pjesë mbi 20 shtete të ndryshme të botës.
Në fjalim e tij, Zëvendësministri Hyseini i njoftoi të pranishmit me gjendjen në shëndetësinë kosovare, me theks të veçantë reformat në sektorin shëndetësor në Kosovë, të arriturat, sfidat dhe nevojat në këtë sektor.
Gjatë kongresit, delegacioni kosovar pati takime me delegacione të vendeve të ndryshme, posaçërisht me zyrtarët e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Turqisë ku është biseduar për tema të ndryshme me interes të bashkëpunimit të ndërsjellë si: Trajnimi i personelit shëndetësor të Kosovës (në dhjetor grupi i dytë do të shkojë në EVP në URLA të Izmirit); Organizimin e Javës së Tretë shëndetësore Kosovaro-Turke (në mars 2016); Përgatitjet përfundimtare për fillim e ndërtimit të Kujdesit Intensiv Qendror në QKUK (projekt 2 milionësh i TIKA-s turke); Ripërtëritja e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet MSh së Turqisë dhe MSh së Kosovës.
Gjithashtu, theks i veçantë i është kushtuar në këto takime edukimit profesional të kuadrit kosovar në lëmit deficitare si kardiokirurgjia.
Kongresi ndërkaq, ka filluar më 18 dhe përfundon më 21 nëntor.