Në tre muajt e parë hotelet e Kosovës janë vizituar nga 64 501 persona
Prishtinë, 5 qershor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë në Kosovë për tremujorin e parë (TM1) 2018.
Në tremujorin e parë të vitit 2018 (TM1 2018) pjesë e anketës ishin 187 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës.
Pjesa më e madhe e hoteleve gjenden në rajonin e Prishtinës, Pejës, Prizrenit, etj. Sipas anketës, kapaciteti i shfrytëzuar në nivel vendi ishte 12.38%.
Në TM1 2018, numri i vizitorëve ishte 64 501 vizitorë, prej tyre 42.69% ishin vizitorë vendorë, kurse 57.31% ishin vizitorë të jashtëm.
Ndërkaq, numri i bujtjeve në TM1 2018 ishte 86 227 bujtje, ku 40.70 % e bujtjeve ishin nga vendorët dhe 59.30% nga të huajt.
Numrin më të madh të vizitorëve dhe netëqëndrimet e tyre e ka Rajoni i Prishtinës me 29 487 vizitorë dhe 41 224 netëqëndrime.
Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh ishte nga Shqipëria, Turqia, SHBA, etj.