Në Shqipëri të ofrohen kanale televizive nga Kosova
Prishtinë, 17 prill - Drejtori i përgjithshëm i kompanisë turistike Eurokoha, Remzi Ejupi, i është drejtuar me një letër ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit të Shqipërisë, Eglantina Gjermeni, në të cilën ka kërkuar që në pakot e kanaleve televizive në Shqipëri të jetë i përfshirë edhe ndonjë kanal televiziv nga Kosova.
Duke marrë parasysh se udhëhiqni një dikaster shumë të rëndësishëm qeveritar siç është ai i Turizmit, i cili përbën një nga bazat kyçe për të nxitur rritjen ekonomike në Shqipëri e që njëkohësisht me të marrë këtë përgjegjësi, keni edhe shumë sfida përpara, shpresoj që në agjendën e planifikimeve tuaja të kenë zënë vend edhe turistët kosovarë.
Ashtu siç është e ditur, pushuesit nga Kosova dhe diaspora kosovare përbëjnë përqindjen më të madhe të turistëve në bregdetin shqiptar. Sigurisht se keni shumë kërkesa për përmirësimin e këtij sektori, ndoshta pa qëllim dhe për shkak të neglizhencës, nëpër shumicën e moteleve dhe hoteleve të Shqipërisë, në pakot e kanaleve televizive nuk ofrohet as edhe një kanal nga Kosova, ndërkohë që në shumë prej tyre, gjejmë kanale nga Italia, Greqia, Maqedonia, Bullgaria, Kina, Arabia, Serbia etj, por asnjë kanal televiziv nga Kosova, ka shkruar Ejupi.
Ai shpreson se kjo kërkesë do të jetë esenciale për turistët nga Kosova.
Besoj se një kërkesë e tillë është esenciale për turistët nga Kosova të cilët, për aq kohë sa janë në pushime në Shqipëri, të kenë mundësinë që të informohen edhe nga mediat e tyre, ashtu siç kjo po ju ofrohet turistëve të vendeve të tjera.
Me këtë letër, po ju drejtohem në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të kompanisë turistike Eurokoha dhe të kryetarit të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, për të përcjell edhe brengën e një numri të madh të pushuesve kosovarë. Me shpresë se do të merrni parasysh këtë kërkesë, ju uroj punë të mbarë!, ka shkruar në letrën e tij Ejupi, drejtuar ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit të Shqipërisë, Eglantina Gjermeni.