22 Dhjetor 2024

Mustafa përkrah zhvillimin e mëtejmë të agroturizmit në Istog

Istog, 9 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë inauguruese të projektit “Mbështetja e agroturizmit, bizneseve dhe zhvillimit ekonomik në Istog”.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë / përfaqësues Special i BE-së, Samuel Zhbogar, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mendim Rugova dhe qytetarë të shumtë të Istogut dhe më gjerë.

Kryeministri Mustafa tha se ky projekt nxjerr në pah vlerat dhe bukuritë që i ka Komuna e Istogut.

“Është një projekt shumë i rëndësishëm, një projekt shumëdimensional që qet në pah vlerat turistike dhe bukuritë natyrore të veçanta që i ka Istogu dhe Kosova, që qet në pah bukuritë dhe mrekullitë njerëzore, sepse ata krijojnë këtë mrekulli dhe e mbajnë atë dhe këta janë qytetarët e kësaj ane. Por, po ashtu edhe njerëzit shumë punëtorë të cilët i kanë shfrytëzuar mjetet e këtij projekti për bujqësi dhe produkte bujqësore, të cilat i pamë ne sot këtu dhe që është një iniciativë shumë e rëndësishme për ne.\"

\"Ky projekt flet edhe për një perfeksionim të detyrave, të punimeve dhe të objektivave tona, sepse deri më tani jemi marrë me ndërtimin e rrugëve, trotuareve, ndriçimit, të infrastrukturës shkollore, kulturore dhe Istogu ka bërë një përparim tepër të madh, por sot po kulmojmë me një projekt shumë të bukur”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa ftoi qytetarët e Kosovës, por edhe të vendeve fqinje që të vizitojnë Istogun dhe të shikojnë bukuritë dhe natyrën e bukur të kësaj komune.

“Uroj që qytetarët ta përdorin dhe ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë stazë dhe këto bukuri natyrore, të cilat janë edhe të shëndetshme edhe relaksuese, por janë edhe produktive për zhvillimin tonë ekonomik dhe social”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë / Përfaqësues Special i BE-së, Samuel Zhbogar, tha se me këtë projekt po dëshmohen efektet e vërteta të asistencës së BE-së në Komunën e Istogut.

“Ky projekt  të cilin e ka mbështetur Zyra e BE-së me gati 400 mijë euro, është një prej shembujve të shumtë të asistencës tonë për zhvillimin ekonomik të regjioneve të ndryshme të Kosovës. Përmes tij, BE-ja ka mbështetur mjedisin biznesor dhe potencialin e agroturizmit që ka Istogu, zhvillimin ekonomik dhe gjenerimin e vendeve të punës në ato vende në të cilat ka pasur investime më të vogla”, tha Zhbogar.  

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, e vlerësoi të rëndësishëm këtë projekt për Komunën e Istogut.  

“Shpreh kënaqësinë time për një projekt i cili jo vetëm që më ka bërë krenar mua si kryetar komune, por kam përshtypjen se i ka bërë krenarë gjithë qytetarët e Istogut, sepse po e shoh çdo ditë frekuentimin e kësaj pike të rëndësishme të Komunës së Istogut, që ka qëllim të promovoj edhe vlerat turistike të Istogut, por edhe të promovoj bizneset, të promovoj zhvillimin e agrokulturës dhe produkteve çfarë i ka në potencial Komuna e Istogut”, tha kryetari Rugova, duke falënderuar kryeministrin për përkrahjen e vazhdueshme për Komunën e Istogut.

Drejtori Ekzekutiv i Organizatës “Syri i Vizionit”, Veton Mujaj, tha se qëllimi i këtij projekti ka qenë që të bëhet e mundur që vizitorët të qëndrojnë sa më shumë në Istog, që të përfitojë ekonomia lokale, të ndihmohen bizneset dhe fermerët, që produktet e tyre të bëhen më konkurrentë në treg.

“Ne kemi intervenuar edhe në infrastrukturë, që ka gjeneruar lidhshmëri mes ofertave të ndryshme turistike dhe që ka bërë që vizitorët të kenë qëndrim interesant në Istog. Kemi bërë shumë për të përkrahur dhe promovuar produktet dhe shërbimet lokale, përfshirë këtu edhe gjenerimin e punësimit”, tha Mujaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)