MMPH dhe MBPZHR koordinohen për mbrojtjen e Parqeve Kombëtare
Prishtinë, 22 shkurt - Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Bujqësisë, Agjencioni i Pyjeve dhe Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit, koordiojnë veprimet e tyre për mbrojtjen dhe menaxhimin e Parqeve Kombëtare dhe në përgjithësi pyjet e Kosovës.
Për këtë qëllim, në Minisitrinë e Mjedisit është mbajtur një takim i përbashkët i të gjitha këtyre institucioneve, më në krye ministri Ferid Agani, ministri Memli Krasniqi, Kryeshefi i Agjencionit të Pyjeve, Ahmet Zejnullahu dhe Kryeshefi i AMMK-së, Ilir Morina.
Në këtë takim u diskutua për ligjin për pyjet, i cili është në fazën përfundimtare të draftimit, e për të cilin u tha se do të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen e pyjeve.
Gjithashtu, të gjitha palët u pajtuan që të hartojnë një plan operativ për menaxhimin e pyjeve, me theks të vecantë menaxhimin dhe ruajtjen e hapësirave të Parqeve Kombëtare, dhe eliminimin e barrierave të cilat deri më tani i kanë përcjellë dy ministritë përkitazi me menaxhimin dhe mbrojtjen e Parqeve Kombëtare, por edhe të pyjeve në përgjithësi.
U potencua edhe nevoja për hartimin e një memorandumi të bashkëpunimit mes Agjencionit të Pyjeve të Kosovës dhe Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, për përdorimin e armëve nga rojet e parqeve.