Me traget përmes Komanit, një përvojë unike
Fierzë, 15 korrik - Në ajrin e freskët të mëngjesit, njerëzit po akomodoheshin në tragetin, i cili po bëhej gati të nisej përmes liqenit të Komanit.
Udhëtimi në itinerarin Koman-Fierzë, përgjatë liqeneve artificiale të krijuara prej ndërtimit të hidrocentraleve të veriut të Shqipërisë, do të jetë një përvojë unike dhe e paharrueshme.
Ju do të mbeteni pa fjalë nga natyra e mrekullueshme, shpatet e veshura me gjelbërim, thyerjet që krijon uji kur futet nëpër shkëmbinjtë që ngjajnë me fjordet skandinave.
Liqeni i Komanit, i cili ndodhet rreth 30 kilometra larg qytetit të Shkodrës, është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin. Këtu është ngritur dhe Hidrocentrali i Komanit që është furnizuesi kryesor i vendit me energji elektrike. Prodhimi vjetor i Hidrocentralit të Komanit është rreth 1 800 GWh.
Liqeni ka sipërfaqe 12 km 2 , gjatësi 34.5 km dhe gjerësi mesatare 50-60 m. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200 m mbi nivelin e detit. Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Aty pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e shekullit 6-8 të erës sonë, e cila lidhet me kulturën e shoqërisë së hershme shqiptare.
Çdo ditë, rreth orës 9, trageti Koman-Fierzë, ofron udhëtime, që para së gjithash lehtësojnë lëvizjen e popullsisë së kësaj zone e të udhëtarëve që duan të shkojnë në veri të vendit.
Ndoshta për banorët vendas që e përshkojnë çdo ditë këtë rrugë, panorama që ofron gryka nuk lë mbresa të mëdha, por për ata që e shohin për herë të parë këtë zonë të mrekullueshme, kjo mbetet një përvojë e paharrueshme.
Për rreth 40 km që përshkohen për rreth tri orë, pasagjerët nuk i heqin nga dora aparatet fotografikë e telefonat mobilë, duke u munduar të përjetësojnë çdo gjë që shohin përreth bukuritë që sikur nuk mbarojnë kurrë.
Në traget ka një minibar dhe pasagjerët mund ta shijojnë një kafe pa e ndalur soditjen e natyrës. Gjithashtu shërbehen pije e ushqime të shpejta.
Pagesa për një veturë në traget është 23 euro, ndërsa për një person është tetë euro.
Në mesin e udhëtarëve ka shtetas të huaj, të cilët nuk ndalojnë pëshpërimat Wooow, So beautiful; ndërsa nuk ndalen së fotografuari çdo copëz gjelbërimi që pasqyrohet e dyzuar në ujë, një gji të vogël që shfaqet papritmas, një cep që del pak më tej, të gjelbrën mbresëlënëse të ujit e shumë gjëra të vogla.
Veronica, shtetase e Republikës së Çekisë, teksa flet për Ekonomia Online, përshkruan e mahnitur bukuritë që po shihte.
Nuk di se nga tia filloj
Sa më magjeps pastërtia e liqenit, sa më magjepsin kodrat që duket sikur po puthiten me njëra-tjetrën. Nga larg sheh sikur përfundon aty liqeni, ngase duken kodrat të ngjitura, por kur afrohesh sheh se ende mund të lundrosh me traget nëpër ujin e liqenit. Ky vend, është një mrekulli, nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë
, thekson Veronika, teksa ngre dorën lart për të bërë një selfie me aparatin që mbante gjithnjë të gatshëm për të shkrepur foto.
Ajo thotë se do ti ftojë edhe miqtë e saj që ti shohin nga afër bukuritë që ofron Shqipëria, e veçmas liqeni i Komanit.
Në të dy anët e grykës sikur nuk ka jetë njerëzore. Por, tek-tuk sheh ndonjë shtëpi të vetmuar ngulitur në kodër. Çuditërisht nuk shihet ndonjë rrugë që të shpie tek shtëpia, madje nuk ka as shtylla elektrike.
Ky liqe shfrytëzohet edhe për të peshkuar. Në këtë mëngjes, një peshkatar me një barkë vogël kishte hedhur grepin dhe në qetësi po priste kapjen e peshkut. Liqeni i Fierzës është i pasur me peshq të llojeve të ndryshme, si peshku i njohur si ballëgjeri, krap e luçiperkë.
Pas rreth tri orësh udhëtim, shfaqet porti i vogël në të cilin zbresin pasagjerët. Ata përshëndeten ngrohtësisht nga drejtuesi i tragetit dhe stafi i tij, me ftesën që të vijnë sërish.
/ekonomiaonline/