Mbahet konferenca për menaxhimin e sezonalitetit në turizëm
Tiranë, 19 tetor - Ministria Shqiptare e Zhvillimit Urban dhe OBT-ja do të organizojnë në Tiranë konferencën ndërkombëtare për Menaxhimin e Sezonalitetit në Turizëm, më 19-20 tetor.
Në këtë konferencë do të marrin pjesë personalitete të shquara nga vende të ndryshme të Evropës, që do të ndajnë përvojat dhe modelet më të mira për të luftuar sezonalitetin në fushën e turizmit.
I pranishëm do të jetë edhe sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO), Taleb Rifai, një personalitet që ka shërbyer në disa portofole ministrore në qeverinë e Jordanisë.
Ai ka mbajtur poste të tilla si, ministër i Turizmit dhe Antikiteteve, ministër i Informacionit, ministër i Planifikimit dhe Bashkëpunimit me Jashtë.
Rifai e filloi karrierën e tij si profesor i arkitekturës, planifikimit dhe dizenjimit urban në Universitetin e Jordanisë, nga viti 1973 deri në vitin 1993. Mori titullin PhD në dizenjim urban dhe planifikim rajonal në Universitetin e Pensilvanisë (Filadelfia, SHBA), në vitin 1983; si dhe titullin Master në shkencat inxhinierike dhe arkitekturë të dhënë nga Instituti i Teknologjisë të Ilinoisit.
Ai ka fituar gjithashtu titullin Bachelor i shkencave në inxhinierinë arkitekturore nga Universiteti i Kajros, në vitin 1973.
Taleb Rifai është zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit më datë 1 mars 2009 dhe në gusht të 2013-s është rizgjedhur në këtë detyrë për një mandat tjetër pesëvjeçar.