Mbahet aksion për largimin e mbeturinave në parkun e Gërmisë
Prishtinë, 30 qershor - Lets Do It Kosova do të organizojë aksion për largimin e mbeturinave në hyrje të Parkut të Gërmisë.
Aksioni do të mbahet në vazhdën e aktiviteteve që po organizohen në kuadër të Javës së Diplomacisë Klimatike, e organizuar në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë, e cila po mbahet që nga 23 qershori deri më 30 qershor 2017.
Aksioni që do të organizohet nesër nga Lets Do It Kosova do të përkrahet nga projekti i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë (ZBEK) Skema e granteve për nismat e avokimit nga organizatat me bazë në komunitet zbatuar nga KCSF (Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile).
Përveç vullnetarëve të Lets Do It Kosova, pjesëmarrjen në aksion e ka konfirmuar edhe Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Znj. Nataliya Apostolova, e cila do ti bashkohet aksionit nga ora 11:45. Po ashtu, në aksion do të merr pjesë edhe udhëheqësja e rrjetizimit nga Lets do It World, Znj. Heidi Solba.
Përveç aksionit të pastrimit, në kuadër të aktiviteteve për ditën e nesërme, në Parkun e Germisë do të mbillen lule dhe fidanë, për çka LDIK do të përkrahet edhe nga Ndërmarrja Publike Hortikultura.