Maqedoni, Hotelierët shënojnë rënie drastike në janar
Shkup, 17 shkurt - Madje 90 për qind e objekteve hotelierike në janar kanë shënuar rënie të qarkullimit në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, me ç`rast nuk është i vogël numri i objekteve që kanë regjistruar rënie të qarkullimit prej 70 për qind.
Këto rezultate sot në Shkup i prezantoi Oda turistiko-hotelierike e Maqedonisë, duke i bërë thirrje edhe një herë Qeverisë që ta liberalizojë ligjin për pirjen e duhanit, meqë tërë sektori është gjunjëzuar.
Prej gjithsej 511 objekteve të anketuara hotelierike, rënie të të ardhurave kanë paraqitur 90 për qind, përderisa në janar të vitit 2009, gjysma e tyre kanë regjistruar rritje të të ardhurave në krahasim me janarin e vitit 2008.
Madje 59 për qind e hotelierëve janë prononcuar se kanë përjashtuar apo planifikojnë të përjashtojnë një pjesë të të punësuarve, ndërsa 87 për qind shprehen se numri i vizitorëve në lokalet e tyre ka shënuar rënie.
Gjendje më alarmante shënohet në Ohër dhe Strugë, ku, sipas përfaqësuesve të Odës turistiko-hotelierike, rënia e qarkullimit është madje 70 për qind.
Letargji totale sundon në çarshinë e Ohrit. Rrugët në orët e mbrëmjes janë të shkreta, ndërsa lokalet të zbrazëta e madje edhe të premten në mbrëmje, shprehen hotelierët nga Ohri.
Ekziston edhe druajtje serioze se stinori i ardhshëm turistik në Maqedoni do të jetë shumë i dobët për shkak të ligjit rigoroz për pirjen e duhanit.
Nëse jeni në gjendje të zgjedhni nëse do të shkoni në pushim në Greqi apo Shqipëri, ose në Ohër dhe Strugë, me siguri do të vendosni të shkoni në shtetet fqinje, meqë mund të pini cigare lirshëm, të bleni alkool pas orës 19 dhe nuk jeni të kufizuar me disa ndalesa tjera, tha Emill Poposki, hotelier nga Struga.
Përfaqësuesit e Odës turistiko-hotelierike sërish kërkuan ndryshim të Ligjit, me çka do të mundësohej në objektet të bëhet ndarje në pjesën ku pihet dhe ku nuk pihet duhani, ndërsa në kazinotë, diskotekat dhe klubet e natës të pihet duhani pa kufizim.
Hotelierët kërkuan edhe zvogëlim të gjobave për shkeljen e këtij Ligji, të cilat sipas disa hulumtimeve të caktuara janë në mesin e më të lartave në Evropë.