Kosovarët shpenzojnë 200 milionë euro
Prishtinë, 22 maj - Pushuesit kosovarë për çdo vit vlerësohet se i shpenzojnë në bregdetin e Shqipërisë deri në 200 milionë euro.
Kështu thonë ekspertët vendorë të turizmit, sipas të cilëve, gjatë muajve të verës pushimet në bregdetin shqiptar i kalojnë 700 mijë deri në 800 mijë veta dhe shumica prej tyre orientohen në bregdetin e Durrësit e më pak në Vlorë e Sarandë.
Vlerësohet se pushuesit kosovarë për pushimet verore në bregdetin e Shqipërisë çdo vit i shpenzojnë rreth 200 milionë euro, thotë për Zërin Zekë Çeku, ekspert i turizmit.
Sipas tij, shumë kosovarë që punojnë në vendet e ndryshme të Evropës, para se ti fillojnë pushimet verore në vendlindje, ndalen në bregdetin shqiptar, ku takohen me familjarët e tyre nga Kosova.
Rreth 70 për qind e kosovarëve shpenzimet në bregdet i kanë të mbuluara nga familjarët e tyre që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, të cilët kanë një standard më të lartë jetësor, prandaj edhe bëjnë shpenzime më të mëdha në bregdet, shprehet Çeku.
Sipas tij, shpenzimet mesatare të një familjeje pesë anëtarëshe në bregdetin e Shqipërisë për 10 ditë shkojnë deri në 1500 euro, mirëpo ka edhe të atillë që shpenzojnë edhe më pak.
Ka familje që shpenzojnë edhe më pak për 10 ditë në bregdetin shqiptar, mirëpo ka edhe të atillë që bëjnë shpenzime më të larta, pohon Çeku.
Pavarësisht dhjetëra miliona eurove shpenzimeve për çdo vit në Shqipëri, sipas Çekut, pronarët e apartamenteve dhe bizneseve të ndryshme në bregdet e përbuzin pushuesin kosovar, duke ngritur artificialisht çmimet e artikujve të ndryshëm dhe duke mos treguar kujdesin e duhur ndaj këtyre konsumatorëve.
Eksperti kosovar i turizmit po ashtu ka vërejtje edhe sa i përket ofertës turistike të Shqipërisë, ku, sipas tij, Shqipëria pushuesve u ofron vetëm detin dhe plazhin, ndërsa nuk orientohet në turizmin kulturor.
Në Panairin e Turizmit që u mbajt muajin e kaluar në Prishtinë, Shqipëria u përfaqësua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT).
Drejtorja e Promocionit dhe Marrëdhënieve me Jashtë në AKT, Anisa Sheldija, pati pranuar më këtë rast se turistët nga Kosova përbëjnë edhe numrin më të madh të turistëve që vizitojnë Shqipërinë. Sipas saj, vetëm gjatë vitit të kaluar qytetarët kosovarë zunë 48 për qind të numrit të përgjithshëm të turistëve që vizituan Shqipërinë.
\"Kjo si rrjedhojë edhe e investimeve strategjike të qeverisë shqiptare në infrastrukturën rrugore.
Por duke patur parasysh që shqiptarët e Kosovës janë më të prirur drejt turizmit të diellit dhe rërës, ne jemi këtu për tu prezantuar atyre edhe trashëgiminë tonë të pasur kulturore, që deri më sot njihej më shumë nga nxenësit e shkollave\", ka deklaruar Sheldija.