Kosova, problem me imazh
Prishtinë, 31 korrik - Kosova, edhe pse ka bukuri të rralla natyrore e objekte të ndryshme historike, nuk është duke u vizituar kënaqshëm nga turistët e huaj. Vendi ynë shquhet për mikpritjen dhe bujarinë por, siç duket, edhe nga publikimet e ndryshme dhe deklaratat e turistëve të mundshëm, imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është i keq.
Më të dalluarat janë deklaratat, kinse në vendin tonë nuk ka siguri dhe se veprojnë grupe mafioze, të cilat do të përbënin rrezik për turistët e huaj. Kohët e fundit disa organizata e shoqata kanë nisur të kujdesen për sjelljen e turistëve dhe promovimin e turizmit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Informimi i turistëve të huaj
Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës (SHTAK) luan një rol mjaft të rëndësishëm në zhvillim e turizmit në Kosovë pasi u ofron mundësi të shumta informimi turistëve të huaj.
Baki Hoti, president i SHTAK-ut, thotë se një qendër e tillë i ka munguar Prishtinës dhe se është e domosdoshme për një kryeqytet të ketë qendra të tilla.
Ne kemi bërë presion te Komuna që dy vjet për hapjen e një qendre e tillë, mirëpo Komuna nuk ofroi mundësi të hapjes. Ne e kemi parë të arsyeshme që vetë si shoqatë, me anëtarët e bordit dhe me stafin tonë, ta hapim një qendër të tille, ka thënë ai.
Pritja e turistëve të huaj dhe çmimet e biletave
Edhe drejtori i kompanisë turistike Kaltërsia Reiesen, Fidan Ibrahimi, i ka thënë gazetës se që nga fillimi i sezonit kanë qenë të përgatitur për pritje të turistëve nga vende të ndryshme të botës.
Ndërsa sa iu përket çmimeve të biletave, ai ka deklaruar se kanë qenë të volitshme, sikur në vitet e kaluar dhe nuk pret që të ketë ndonjë ndryshim. Ibrahimi ka bërë me dije se turistët më shumë preferojnë të shkojnë në vendet malore të Kosovës, pasi për ato ka pasur edhe më shumë marketing dhe guida turistike.
Çdo vit turistët që vijnë nga vendet evropiane, amerikane dhe të tjera, shprehin dëshirë të shkojnë në Prizren, në Grykën e Rugovës, por edhe vende të tjera të Kosovës siç janë Malet e Sharrit, ka thënë ai.
Ndërsa sa iu përket çmimeve të ofruara, Baki Hoti, kryetar i SHTAK-ut, ka thënë se çmimet luajnë rol të rëndësishëm për tërheqjen e turistëve.
Është bërë kërkesë nga agjencia më e madhe turistike në Turqi, Tursab, për ulje çmimesh sa i përket çështjes së akomodimit. Para katër muajve, sa i përket çështjes së akomodimit, kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Tursab.
Kërkesa e vetme e zëvendëspresidentit të Tursab-it ishte të zbriten çmimet e hoteleve, nëse dëshirojmë që brenda vitit ti kemi 30 mijë vizitorë nga Turqia, ka thënë Hoti.
Përshtypja e turistëve dhe imazhi i Kosovës
Hoti është shprehur mjaft i shqetësuar për përshtypjen që e kanë ndërkombëtarët për Kosovën, sipas të cilëve, vendi ynë ka pasiguri e lartë, se ekzistojnë grupe të mëdha mafioze etj.
Mirëpo Hoti ka deklaruar se turistët e huaj qysh herën e parë kur e vizitojnë Kosovën krijojnë përshtypje të mirë për vendin tonë.
Është mjaft i rëndësishëm promovimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare në mënyrë që të bien poshtë spekulimet e armiqve të Kosovës dhe vendit tonë ti përmirësohet imazhi, ka theksuar ai.
Hoti ka shtuar se është duke punuar në realizimin e një dokumentari për promovimin dhe ngritjen e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Mirëpo, sipas tij, për jetësimin e këtij dokumentari është e nevojshme ndihma nga Qeveria. Ai ka shprehur optimizëm se do të gjejnë përkrahje nga Agjencia e Kosovës për Promovimin e Investimeve (IPAK).
Është tejet e nevojshme për Kosovën realizimi i një dokumentari, pasi është shumë më mirë që në CNN dhe televizionet ndërkombëtare të prezantohet një dokumentar sesa të jepen 3 apo 4 milionë euro, ka thënë ai.
Deklarata e turistit Cristof Plasni
Turisti Cristof Plasni nga Austria është shprehur i kënaqur me Kosovën. Ai ka deklaruar se Kosova ka nevojë për më shumë promovim, sidomos turizmin malor.
Për herë të parë kam ardhur në Kosovë. Më herët kam qenë në disa vende tjera të Evropës juglindore. Këtu kam dashur të vij, por nuk kam pasur mundësi për shkak të rrethanave që kanë qenë këtu, ka deklaruar ai.
Sipas tij, Kosova ka bukuri natyrore, por edhe objekte të tjera historike, të cilat gjithsesi duhet të vizitohen.
(Gazeta "Epoka e re")