Kosova në ofertën e përbashkët turistike të Ballkanit
Ohër, 12 maj - Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, ka marr pjesë në konferencën rajonale për turizëm aventurier Adventure Next Balkan 2016, që po mbahet në Ohër të Maqedonisë nga data 10 deri 12 maj 2016.
Me këtë rast, Kastrati ka zhvilluar takime me pjesëmarrësit duke i njoftuar ata për mundësitë që i ofron Kosova në fushën e turizmit.
Ndërsa drejtori për Promovimin e Sektorit Privat në kuadër KIESA-s, Arbër Muhaxheri, gjatë një fjalimi në konferencë ka thënë se resurset natyrore që i posedon Kosova dhe rajoni janë të jashtëzakonshme.
Hulumtimet tregojnë se shtetet nga rajoni nuk mund të tërheqin mjaft turistë, por oferta e përbashkët mund ta ofrojë Ballkanin si destinacion të mirë turistik në tregun botëror të turizmit. Është me rëndësi që aktivitetet të orientohen në lehtësimin e procedurave administrative për kalimin e kufijve si dhe në thjeshtësimin e procedurave të tjera për turistët, ka theksuar Muhaxheri.
Gjatë konferencës, tur-operatorët nga Kosova: Catun-Adventure in the Balkans, Balkan Outdoor Experience, Airtour, Kosovo Holidays, kanë zhvilluar takime B2B me agjenci turistike ndërkombëtare me qëllim të krijimit të bashkëpunimit në të ardhmen.
Në këtë konferencë të organizuar nga Adventure Travel Trade Association (ATTA), kanë marrë pjesë mbi 300 pjesëmarrës nga përfaqësues të medieve dhe të agjencive ndërkombëtare të specializuara për turizëm si dhe përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja Hercegovina, Kroacia, Bullgaria, Mali i zi, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.
Me mbështetjen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), dhe në bashkëpunim me USAID Empower projekt, në këtë konferencë, Kosova është përfaqësuar si shtet partner.