Kosova dhe Shqipëria me oferta të përbashkëta turistike
Gjakovë, 14 prill - Kosova dhe Shqipëria kanë bërë një hap para drejt bashkimit të tyre, në sferën e turizmit. Të hënën, bizneset e dy vendeve janë takuar në qytetin e Gjakovës, për të prezantuar ofertat e tyre turistike.
Ky takim ka mundësuar që dy palët të bien dakord për fillimin e përpilimit të paketave të ndryshme turistike, që do të ndihmonin zhvillimin më të madh të turizmit në dy vendet.
Gjatë takimit në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si organizatore e takimeve B2B, mirëseardhje të pranishmëve iu uroi Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Gyneyd Ustaibo, që njëherësh shoqëronte në Gjakovë bizneset kosovare të turizmit.
Me gjithë faktin që shkëmbimet tregtare në vitet e fundit janë duke u rritur ndjeshëm, bashkëpunimi mes bizneseve individuale nuk ka qenë në nivelin e pritshëm. Bizneset në dy vendet tona duhet të takohen më shpesh dhe të bashkëpunojnë më shumë, duke pasur parasysh interesin ekonomik në të dy anët e kufirit."
"Qeveritë e të dy vendeve tona tani kanë mundësi të bëjnë më shumë për inkurajimin e vizitave të ndërsjella dhe rritjen e qarkullimit të turistëve mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe ofrimit të aranzhmaneve turistike të përbashkëta për vizitorët e huaj, tha zv.ministri Ustaibo.
Ai u tha të pranishmëve se organizatat që veprojnë në fushën e turizmit do të mund të bashkëpunojnë më ngushtë duke paraqitur oferta të përbashkëta në tregun turistik në nivel kombëtar, rajonal dhe më gjerë duke pasur parasysh elementet komplementare që posedojnë Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë në fushën e turizmit.
Një prej nismave të kësaj marrëveshjeje është edhe ngjarja e sotme e cila do të mundësoj krijimin e urave të bashkëpunimit në sektorin e turizmit në mes të dy vendeve tona."
"Ne ftojmë bizneset e Shqipërisë që të investojnë në Kosovë sepse klima e të bërit biznes është duke u përmirësuar. Ndryshimet janë bërë dhe janë të matshme për secilin investitor, tha zv.ministri Ustaibo.
Qyteti i Gjakovës ishte nikoqir i takimit të parë që ka për qëllim që bizneset e të dyja vendeve, në veçanti ato të sferës së turizmit, të punojnë bashkërisht në mënyrë që ta krijojnë një ofertë të përbashkët turistike për zonën që përfshinë të dyja shtetet.
Gjatë qëndrimit në Gjakovë, biznesmenët janë pritur nga Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Si nikoqire e takimit të parë ajo ka thënë se është me rëndësi që Kosova dhe Shqipëria të dalin me një treg të unifikuar e të përbashkët turistik dhe se ndihmë të madhe në këtë do të japë edhe projekti i përbashkët i Alpeve Shqiptare, i cili tashmë ka filluar të realizohet nga qeveritë e të dyja shteteve.
Ajo tha se Gjakova është e hapur të punoj ngushtë me bizneset e turizmit nga dy shtetet për të kontribuar në një zhvillim të hovshëm me Republikën e Shqipërisë.
Nuk është e largët dita kur Kosova dhe Shqipëria përmes zhvillimit të përbashkët do ta zhdukin plotësisht vijnë që dikur i ka ndarë këto shtete. Unë do të kisha dëshirë që të shoh një plantacion të mbjell në vijën që dikur shënonte vijën e ndaluar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, tha Kusari Lila.
Mbështetje për zhvillimin e përbashkët përmes këtyre bizneseve ka dhënë edhe zv.ministri i Ministrisë Urbane dhe Turizmit në Shqipëri, Alfred Dalipi, i cili ka premtuar se do të mbështeten të gjitha nismat e përbashkëta që vijnë nga Kosova dhe Shqipëria.
Jemi këtu për ti hapur rrugë një masterplani për zhvillimin e Alpeve, ka thënë zv.ministri Dalipi.
Ai ka folur edhe për projektin Montal që do të krijojë shtigje për çiklistë dhe këmbësorë në tri shtetet, Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi. Është e rëndësishme që ne të krijojmë pika të reja të legjitimuara kufitare që do të mundësonin që me lehtësi turistët ta kalonin kufirin, ka theksuar Dalipi.
Më pas eksperti i turizmit, i kontraktuar nga USAID-i, Jack Delf, ka prezantuar projektin e Krijimit të itinerareve të reja për Ballkanin Perëndimor.
Ai ka premtuar se do të jetë në gjendje gatishmërie dhe të jap ndihmë që këtij projekti që mbanë në vete një paketë substanciale për zhvillimin e këtij rajoni në sektorin e turizmit, ti jepet një përkrahje e vazhdueshme.
Gatë ditës së parë të takimit, biznesmenët vizituan zonat turistike e kulturore në komunat e Gjakovës e Deçanit, ndërsa të martën do ta vizitojnë zonën turistike të Valbonës në Shqipëri.