Kosova dhe Shqipëria dakordohen për agjendë të përbashkët të turizmit
Prizren, 9 gusht - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani ka takuar sot në Prizren ministrin e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi.
Të dy ministrat u dakorduan për agjendë të përbashkët turistike në mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ministri Hasani theksoi se bashkë me Klosin do të bëjnë hapjen e sezonit turistik dimëror në bjeshkët e Rugovës ose në Brezovicë.
Hasani tha se edhe Kosova ka atraksione turistike për tu vizituar, e sidomos në sezonin e dimrit.
“Takuam ministrin e turizmit zoti Blendi Klosin. Biseduam për bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe si të organizohemi dhe të bashkëpunojmë në të ardhmen edhe më mirë në fushën e turizmit. Shqipëria ka ecur mirë në fushën e turizmit. Edhe ne i kemi dhënë shumë rëndësi turizmit pas krijimit të departamentit."
"Sot jemi jo rastësisht në Prizren e bukur për të dhënë një mesazh nga këtu se jemi për një bashkëpunim në mes dy vendeve sidomos me Republikën e Shqipërisë, sepse ka mundësi dhe fusha të bashkëpunimit. Biseduam me ministrin që në fillim të sezonës të vjeshtës që në Brezovicë ose Rugovë të bëjmë hapjen e sezonit dimëror dhe nga aty të japim një mesazh sepse mendojmë se ka vend edhe Kosova për tu vizituar nga shqiptarët”, tha ministri Hasani.
Ministri Klosi tha se do të punojnë në ndërtimin e një strategjie në mes dy vendeve në fushën e turizmit dhe Kosova dhe Shqipëria ta kenë një ofertë të përbashkët për vendet e Ballkanit.
“Zgjodhëm Prizrenin për të dëshmuar se sa mirë një qytet mund të shndërrohet një pikë turistike Evropiane, ashtu si u bë Prizreni dhe u shndërrua përmes festivalit ‘DokuFest’."
"Për të pasur fakt si pikënisje të gjitha politikat tona në të dy anët e bjeshkëve ndërtimin e një strategjie të përbashkët që mos ta ndajmë detin të Shqipërisë dhe Kosovës, është i gjithë shqiptarëve."
"Ajo që na del detyrë, të kemi mundësi ta bëjmë një program të përbashkët që politikat administrative ta ndjekin me korrektes kërkesën e bizneseve. Prandaj një grupi përbashkët do të kenë mundësi që deri në tetor të përgatisin një agjendë të përbashkët dhe të kemi një mundësi për tërë rajonin e Ballkanit të kemi një ofertë të përbashkët, dhe ofertat e dy qeverive tona të jenë të përbashkëta”, tha Klosi.