Kosova dhe Maqedonia zgjerojnë marrëdhëniet në fushën e turizmit
Tetovë, 24 qershor - Nga sot Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë do të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për promovimin edhe inkurajimin e zhvillimit të marrëdhënieve në sferën e turizmit duke i përkrahur agjencitë turistike dhe strukturat tjera dhe organizatat të cilat kryejnë aktivitete në fushën e turizmit.
Kjo do të ndodh falë marrëveshjes së nënshkruar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë znj. Mimoza Kusari Lila dhe Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Valon Saraqini.
Ministrja Kusari Lila e cilësoi këtë marrëveshje si përforcim i marrëdhënieve miqësore midis dy shteteve. Kosova ka potencial për turizëm, posaçërisht për turizëm malor. Ne jemi në përgatitje të Projektit Kapital të Brezovicës, ku Maqedonia do të mund të na ndihmonte në promovimin e këtij resorti turistik, theksoi ajo, duke shtuar se investimi në infrastrukturë të rrugës Shtërpcë-Jazhincë, do të shërbente si urë lidhëse për Kosovë, duke sjell më shumë turistë.
Ndërsa, Ministri Saraqini tha se Maqedonia ka marrëdhënie të mira me Republikën e Kosovës por kjo marrëveshje e sotme vuri vulën në aspektin e legjislacionit që të intensifikojë edhe më tutje marrëdhëniet në mes të dyja vendeve.
Të dy ministrat janë pajtuar në prezantimin e një produkti të përbashkët të quajtur 7 ditë 7 çudira, ku do të prezantoheshin vizita dy ditore në Kosovë-Maqedoni-Shqipëri.
Me anë të kësaj marrëveshje palët kontraktuese do të promovojnë të gjitha llojet e turizmit ashtu siç është pranuar me përvojën ndërkombëtare. Gjithashtu, të dy shtetet do të këmbejnë informata duke përfshirë edhe të dhënat statistikore dhe do të inkurajojnë pjesëmarrjen e përbashkët në ekspozitat turistike, në bazë të mirëkuptimit të ndërsjellë të palëve kontraktuese.
Ministrja Kusari Lila pas nënshkrimit të marrëveshjes vizitoi zonën e lirë ekonomike të Shkupit, ku ministri Saraqini e informoi atë për modelin e zonave të lira ekonomike në Maqedoni, ku ekzistojnë gjithsej 15 zona. Ai theksoi se zonat e lira ekonomike kanë filluar në vitin 2002, ndërsa janë funksionalizuar 3 nga ato.
Nga përfaqësuesi i autoritetit të zonave të lira ekonomike u prezantuan në detale kushtet fiskale që Maqedonia i ofron për investitorët.
Më tutje, Ministrja Kusari Lila takoi Kryetaren e parë shqiptare të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, me të cilën diskutoi për fuqizimin e gruas në ekonomi dhe bashkëpunimin e mëtejmë në fushën e turizmit.
Ministrja Kusari- Lila fillimisht shprehu gëzimin që zonja Arifi është femra e parë shqiptare në Maqedoni që ka këtë pozitë dhe se influencimi i femrave të tjera është i domosdoshëm.