Koordinohen projektet në fushën e Turizmit
Prishtinë, 18 maj - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), respektivisht Divizioni i Turizmit, sot, ka organizuar tryezën e katërt me radhë me donatorët për koordinimin e projekteve në fushën e Turizmit, që ka për qëllim ngritjen e bashkëpunimit me akterët relevantë të kësaj fushe.
Në tryezë ishin pjesëmarrës përfaqësues institucionalë të nivelit qendror dhe lokalë, përfaqësues të donatorëve, si përfaqësues të shoqatave hoteliere dhe turistike.
Në fjalën hapëse të kësaj tryeze, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, potencoi rolin e turizmit në zhvillimin e përgjithshëm të një vendi, duke i prezantuar resurset turistike si potenciale dhe ndikues në zhvillimin e gjithëmbarshëm të ekonomisë së një rajoni apo në përgjithësi të një vendi.
Ai përmendi disa nga fushat me interes për turizmin kosovar, siç janë potenciale e mundshme të turizmit malor, të rekreacionit, të trashëgimisë dhe të potenciale tjera turistike, të cilat mund të përfshihen në agjendat e agjencive dhe tour-operatorëve, si formë e mundshme e informimit dhe sensibilizimit internacional të turizmit të Kosovës.
Në mes tjerash, z. Kastrati tha se turizmi ka përjetuar rritje të vazhdueshme dhe se tashmë është shndërruar në sektorin ekonomik me rritjen më të shpejtë në botë, që përfaqëson ndjeshëm në të ardhurat e përgjithshme për shumë vende në zhvillim.
Turizmi është opsioni më i zbatueshëm për përkrahje të zhvillimit ekonomik të një vendi dhe se Kosova si shtet në zhvillim, mund ta ketë parasysh, gjatë hartimit të politikave zhvillimore, turizmin si sektor me potencial të mundshme për zhvillimin e ekonomisë së vendit, theksoi zëvendësministri Kastrati.
Zëvendësministri Kastrati i falënderoi donatorët, të cilët po e mbështesin Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në promovimin e turizmit të Kosovës, si dhe në dhe në projekte të rëndësishme në fushën e sektorit privat.
Po ashtu, në tryezë u diskutua edhe rreth projekteve të realizuara, si dhe për koordinimin dhe mundësinë e realizimit të projekteve, që mund të përkrahen nga donatorët gjatë këtij vitit.
Gjithashtu u debatuan edhe çështjet me rëndësi për turizmin kosovar, të cilat do të adresohen në Draft-ligjin për Turizmin, që është duke u përgatitur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.