Kina fokusohet tek turizmi
Pekin, 4 maj - Ligji i parë mbi Turizmin në Kinë është miratuar kohët e fundit dhe do të hyjë zyrtarisht në fuqi më 1 tetor.
Drejtoria Shtetërore e Turizmit e Kinës nëpërmjet një njoftimi u kërkon krahinave të ndryshme të njohin mirë përmbajtjen e këtij ligji. Zhvillimi i shëndetshëm i sektorit turistik është bërë fokusi i publikut.
Sipas zv.drejtorit të Shkollës së Turizmit pranë Universitetit të Unionit të Pekinit, Zhang Lingyun, shprehet se me këtë ligj të ri, do të ketë më shumë garanci për shërbime cilësore turistike.
\"Me këtë ligj, ndryshimi i çmimit të biletave në zonat turistike duhet të përcaktohet nga seanca dëgjimore dhe çmimi i ri duhet të publikohet gjashtë muaj përpara,\" tha Zhang.
Zhang Lingyun është i mendimit se në Kinë ka burime të pasura turistike, por në krahasim me vendet e huaja, shërbimet turistike në Kinë janë në disavantazh të dukshëm, çka ka kufizuar zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.
\"Ne dëgjojmë shpeshherë nga vizitorët që pikat turistike në Kinë janë të standardeve ndërkombëtare, ndërsa shërbimi dhe administrimi mbetet i dobët. Prandaj, duhet të gjejmë mënyrën e duhur dhe të përshtatshme për të gjitha palët,\" tha Zhang Lingyun.
Duke folur për administrimin turistik, drejtori i Institutit Studimor të Turizmit të Kinës Dai Bin u shpreh:
\"Ne i kushtojmë rëndësi pikave turistike, por zakonisht mënjanojmë sistemin e pritjes dhe sistemin e shërbimit publik. Pas miratimit të Ligjit mbi Turizmin, zonave turistike u është kërkuar që të përmirësojnë jo vetëm ndërtimin, por duhet të hartojnë mirë edhe plane për zhvillimin e sektorit turistik, duke u bashkuar me planifikimin e përgjithshëm shoqëror.\"
Zhang Lingyun shtoi se tani në Kinë gjithnjë e më shumë turistë pranojnë rritjen e çmimit në zonat turistike, por ata shpresojnë gjithashtu për shërbime më të mira.
\"Me ndryshimet e reja në këtë sektor, turizmi mund të shndërrohet në një shtyllë që favorizon vendasit në mënyrë të vazhdueshme,\" theksoi Zhang.