Kana në rivierën franceze tërheq njerëzit më të pasur të botës
Kanë, 28 korrik - Kana në rivierën franceze tërheq njerëzit më të pasur të botës me jahtet e tyre luksoze, veshjet e shtrenjta, bizhuteritë dhe makinat sportive.
Me kaq shumë turistë të pasur në qytet, Kryetari i Bashkisë së Kanës përpiqet të garantojë se ata nuk do të bëhen objekt i vjedhjeve, prandaj ai ka instaluar një sistem të madh survejimi, një kamerë për çdo 212 banorë të qytetit.
Riviera e bukur franceze dhe festivali i famshëm i filmit e bëjnë qytetin e Kanës sinonim të super të pasurve dhe shkëlqimit. Çdo vit, gati 2 milion turistë vijnë këtu për të shijuar një pjesë të shkëlqimit prej hollivudi të Kanës.
Për të përmbushur nevojat e tyre qyteti ka 6 hotele me 5 yje, 23 me 4 yje, plazhe të gjata me rërë të pastër, 580 restorante dhe bare dhe rreth 100 dyqane luksoze.
Kryebashkiaku Bernard Brochand (Bernar Broshan), e di mirë se sa i rëndësishëm është imazhi i qytetit për pushuesit:
Pika tërheqëse e qytetit tonë është sektori i luksit, prandaj ne kemi mundësi tu ofrojmë këtyre turistëve të pasur hotele me 5 yje. Në Kanë ne kemi 22 mijë shtretër.
Zoti Brochand beson se Kana e vogël ofron për turistët të njëjtat gjëra si Parisi dhe Nju Jorku, por prania e vizitorëve super të pasur bën që zyrtarët e qytetit të ndjejnë një përgjegjësi të madhe për sigurinë.
Këta turistë duan të dinë nëse mund të dalin në qytet dhe të shëtisin të sigurtë në çdo kohë.
Siguria është një element i rëndësishëm i një qyteti që tërheq turistë. Njerëzit e famshëm dhe të pasur duan të jenë të mbrojtur. Unë mendoj se ata janë të mbrojtur në Kanë, thotë kryebashkiaku i qytetit.
Një element i rëndësishëm i kësaj sigurie është instalimi i një sistemi kamerash, një kamerë për çdo 212 banorë të qytetit. Dhe me ndihmën e rreth 600 policëve, Kryebashkiaku i Kanës ka arritur të ulë numrin e akteve kriminale nga 8 mijë në vit para një dekade në vetëm 3 mijë në vit.
Kur klientët paguajnë çmime të larta për dhomën e hotelit, menaxherëve u duhet të sigurohen se ata kënaqen dhe janë të sigurtë. Claudio Ceccherelli (Çekereli) është menaxher i hotelit Martinez:
Kur kemi tarifa kaq të larta, ne e kemi për detyrë të sigurojmë shërbime të cilësisë së lartë dhe arsyen që ata të vijnë përsëri. Unë mendoj se arsyeja është mikpritja dhe një atmosferë e ngrohtë si nga personeli ashtu edhe nga atmosfera në të gjithë hotelin.
Hoteli Martinez ka një prej apartamenteve më të mëdhenj në Kanë, 1 mijë metra katrorë, që kushton 38 mijë euro nata. Në lobin e hotelit, Fabrizio Bozzolan përpiqet të përmbushë të gjitha kërkesat e mysafirëve. Ai e di se Kana është magnet i parasë dhe si rezultat tërheq super të pasurit nga i gjithë globi.
Një herë ose njëherë tjetër të gjithë të pasurit do të vijnë në Kanë. Pra në njërën anë ne kemi njerëz të thjeshtë, që kalojnë pushimet këtu, dhe nga ana tjetër kemi disa prej njerzve më të pasur të botës. Është një kombinim i këndshëm, thotë ai.
E ardhmja e Kanës duket e mirë. Qyteti po përmirëson sistemin hekurudhor për të përballuar një numër më të madh udhëtarësh nga 3 në 7 milion çdo vit.
Duke shëtitur në bregun plot diell, turistes amerikane Lauren Ricktor i bëjnë përshtypje pikat tërheqëse të qytetit.
Riviera franceze, bukuria dhe pasuria e qytetit, dyqanet, arkitektura e bukur, tipike e një qyteti të rivierës franceze. Çdo gjë është shumë e bukur, thotë Lauren.
Elena Profanova nga Moska ka dalë për shëtitje me miqtë e saj. Edhe ajo është shumë e kënaqur me bukuritë e Kanës.
Një qytet i qetë, një mjedis i rehatshëm. Ka shumë luks dhe modë. Është me të vërtetë shumë bukur, thotë ajo.
Mes makinave Ferrari dhe jahteve luksoze, Kana në fakt është një botë e pakapshme për shumicën e njerzve. Por me palmat e bukura, ujin e pastër dhe rërën e bardhë, është fare e qartë se pse Kana është bërë magnet për turistët më të pasur, pavarësisht nëse në këtë qytet ka apo nuk ka krime