Ishujt Marshall vuajnë nga mungesa e turizmit
Marshall, 16 dhjetor - Ishujt Marshall kanë një nga mjediset më të pasura detare në botë, por po vuajnë nga mungesa e turizmit dhe ndryshimet klimatike.
Rritja e nivelit të detit dhe ujërat e ngrohta po kërcënojnë koralet mahnitëse që ndodhen pranë relikeve nënujore të Luftës së Dytë Botërore.
Ishujt Marshall njihen si foleja më e madhe e peshkaqenëve në botë, por ata janë gjithashtu një vend i sigurtë dhe i bukur për zhytje.
Ato ndodhen mes Havait dhe Australisë dhe tani kanë pak turizëm pavarësisht bukurive të shumta natyrore.
Hiroaki Ueda, pronar i dyqanit Raycrew, thotë:
\"Ishujt Marshall janë një vend i pasur me korale dhe kjo mund të konfirmohet vetëm kur zhytesh nën ujë. Dua që njerëzit të zhyten nën ujë për të parë vetë koralet\".
Në lagunën e Mahuros, zhytësit mund të eksplorojnë një aeroplan të fundosur, helikopter dhe anije të mbytura në ujin e ngrohtë dhe kthjellët të këtij rajoni.
Një aeroplan i vjetër DC3 i periudhës së Luftës së Dytë Botërore qëndron në fund të oqeanit, dhe mund të shihet qartë nëse jeni mbi sipërfaqen e ujit. Ai ndodhet rreth 3 metra nën ujë dhe zhytësit mund ta eksplorojnë me lehtësi.
Zhytësit mund të eksplorojnë më në thellësi relike të tjera të Luftës së Dytë Botërore përfshirë helikopterë të rrëzuar dhe anije të fundosura.
Dhomat dhe kuverta e anijeve mund të eksplorohen me manovrime të kujdesshme dhe me ndihmën e një elektriku dore.
Hiroaki Ueda shpjegon se rrënojat janë sjellë këtu në mënyrë që zhytësit të mund ti eksplorojnë ato.
Zoti Ueda erdhi në Ishujt Marshall nga Japonia në vitin 2007. Kompania që e punësoi atë shumë shpejtë falimentoi kështu që ai hapi biznesin e tij, Raycrew.
Ai ka bërë rreth 4.000 zhytje në të gjithë ishujt dhe i pëlqejnë ngjyrat e shumëllojshme të koraleve që ka parë.
Një udhëtim zhytjeje për të parë koralet, organizuar nga Raycrew, kushton rreth 75 dollarë.
Por ndryshimet klimatike po ndikojnë Ishujt Marshall, të cilët janë objekt i rritjes së nivelit të detit dhe rritjes së numrit të stuhive.
Zoti Ueda thotë se vitin e kaluar, ai pa se si koralet po zbardheshin. Kjo ndodh për shkak të ujit të ngrohtë i cili zbardh koralet dhe është shenjë e rrezikut të tyre nga zhdukja.
Gjatë zhytjes në ujërat e qeta të oqeanit pranë Ishujve Marshall mund të shihen siperfaqe të mëdha koralesh.
Shpesh breshkat dhe delfinët kalojnë pranë zhytësve.
Zoti Ueda drejton biznesin e tij nga Marshall Islands Resort, një nga vetëm dy hotelet e stilit perëndimor në kryeqytetin, Mahuro.
Jeta në këta ishuj zhvillohet me një ritëm të ngadalshëm, dhe nganjëherë ka mungesë të shërbimeve si internet, apo energji elektrike.
Në zonat e populluara, laguna është e rrethuar me mbeturina, edhe pse një numër aktivistësh të rinj po bëjnë përpjekje për ti pastruar ato.
Ka pak shërbime për turistët dhe kjo u jep turistëve që vijnë këtu ndjenjën se këta ishuj janë një thesar i pazbuluar në mes të Paqësorit.
Shumica e zhytësve kanë prirje të vizitojnë rrënojat e Luftës së Dytë Botërore që gjenden rreth Palaut dhe Mikronezisë. Disa prej tyre bëjnë ndalesa në Ishujt Marshall gjatë rrugëtimit drejt këtyre ishujve.
Fluturimet drejt Ishujve Marshall janë relativisht të shtrenjta dhe ato i organizon vetëm kompania United Airlines. Tom Armbruster, ambasadori amerikan në Ishujt Marshall, beson se lidhjet më të mira ajrore janë të nevojshme për të nxitur turizmin në këtë rajon.
\"Është një vend i klasit botëror dhe në të kaluarën ka patur turizëm të zhytjes. Kështu që unë kam shpresë se ky lloj i turizmit mund të ringjallet këtu, por unë mendoj se ata kanë nevojë për lidhje më të mira ajrore, ndoshta me Havain, që mund të sjellin zhytësit këtu dhe tu japin atyre mundësinë për të patur përvojën më të mirë në botë\".
/voa/