Investime të mëdha për sezonin turistik dimëror
Bernë, 22 dhjetor - Zvicrën e pret një sezon dimëror i suksesshëm në planin turistik. Numri i bujtjeve në hotelet zvicerane gjatë fillimit të vitit që vjen, që është njëherësh edhe fillim i sezonit dimëror pritet të shënojë një ngritje.
Kështu së paku beson drejtori i organizatës së turizmit të Zvicrës (Schweiz-Tourismus), Jürg Schmid, i cili thotë se kjo rritje do të sillet në mes të 2 dhe 3 për qind.
Në një intervistë që Schmid ka dhënë për gazetën zvicerane në gjuhën frënge Le Temps thotë se ekonomia e turizmit ka reaguar ndaj pësimeve të dy viteve të kaluara. Kjo ekonomi ka bërë investime në infrastrukturë si kurrë ndonjëherë më parë.
Gjatë vitit që po shkon, sipas të parit të turizmit të Zvicrës janë investuar 400 milionë franga vetëm për teleferikë dhe skilifte. Por, as ky sezon nuk do të jetë i kursyer nga problemet.
Më së shumi telashe për sezonin në vijim kryetari Schmid pret nga paqëndrueshmëria e motit dhe nga frangu ende i fortë në raport me valutat tjera.