22 Dhjetor 2024

Hoti: Dështimi i Brezovicës rëndon turizmin

Prishtinë, 27 qershor - Kryetari i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës (SHTAK), Baki Hoti, ka deklaruar se dështimi i privatizimit të Brezovicës është mesazh negativ për turistët e huaj dhe e rëndon zhvillimin e turizmit.

“Brezovica është një resor mjaft i pasur dhe që posedon potenciale të mëdha turistike. Nëse do të privatizohej ky resor, do të mund të ndikonte në ngritjen e turizmit, andaj dështimi përbën një lajm mjaft negativ si në aspektin e turizmit, po ashtu edhe në atë të imazhit. Është shumë e vërtetë që dështimi i këtij privatizimi është diçka negative për Kosovën dhe për pjesën e turizmit. Ne s’kemi pasur nevojë të presim aq gjatë dhe në fund të thuhet ‘jo tash nuk e solli garancinë bankar’ dhe të dështojë çdo gjë”, ka deklaruar Hoti.

Turizmi në kryeqytet

Ndërsa sa iu përket investimeve në turizëm, sipas tij, në Komunën e Prishtinës është bërë më së paku. “Sa i përket turizmit më së keqi e kemi kryeqytetin tonë, pasi ende nuk është vendosur të themelohet një zyrë informuese për turistët e huaj, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën. Kryeqyteti është në mesin e qyteteve që vizitohen më së shumti nga turistët e huaj dhe ende s’ka ndonjë mbështetje nga komuna për hapjen e një zyre informuese”, ka deklaruar Hoti.

Kosova në vjeshtë vizitohet nga shumë turistë

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në sezonin e vjeshtës në Kosovë pritet të vijë një numër i madh i turistëve, kryesisht nga Turqia. “Në vjeshtë pritet të vijnë shumë turistë, ndërsa numri më i madh i tyre pritet të jetë nga Turqia, prandaj unë dhe stafi i shoqatës kemi qëndruar në një vizitë zyrtare në Turqi, ku jemi koordinuar për pritjen më të mirë të tyre. Kemi pasur takime me disa turoperatorë dhe shoqata të Turqisë, kryesisht në qytetin e Izmirit, nga ku e presim numrin më të madh të turistëve”, është shprehur ai.

Sezoni turistik i verës

Hoti ka bërë me dije se Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës është munduar që t’i bëjë përgatitjet e duhura sa i përket sezonit turistik të verës, duke pasur parasysh se në Kosovë do të vijë një numër shumë i madh i bashkatdhetarëve nga diaspora. “Për diasporën duhet të krijohen kushte sa më të mira në mënyrë që ata të ndihen komodë gjatë pushimeve këtu”, ka thënë Hoti. Ai ka treguar se ka interesim të vazhdueshëm të grupeve turistike për ta vizituar Kosovën, edhe pse mungon përkrahja institucionale për pritjen e tyre. “Kemi turistë nga Shqipëria dhe Gjermania, të cilët janë duke ardhur kryesisht në grupe të organizuara. Më herët i kemi nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi me shoqatat e Maqedonisë dhe Shqipërisë, me qëllim të koordinimit të paketave turistike për vendet e Ballkanit”, ka thënë ai.

Informimi i turistëve me bukuritë e Kosovës

Hoti ka bërë me dije se shoqata të cilën e drejton vazhdimisht i informon turistët me vendet turistike që i ka Kosova. “Ne jemi duke e intensifikuar bashkëpunimin për sezonin e vjeshtës, kur edhe pritet të vijë një numër i madh i turistëve, prandaj kemi biseduar me agjencitë turistike që të krijojnë paketa sa më të favorshme për pritjen e vizitorëve”, është shprehur Hoti, duke shtuar se fillimi i përfshirjes së Kosovës në paketa ballkanike është shumë pozitiv. “Turistët, në kuadër të vizitave ndërkufitare, mund ta vizitojnë edhe Kosovën. Andaj roli ynë është ta intensifikojmë bashkëpunimin në mes të turoperatorëve ndërkombëtarë dhe atyre të Kosovës me qëllim që të krijojmë kontakte sa më të shumta për pritjen e tyre”, ka thënë Hoti.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)