Hotelet në Shqipëri mesatarisht me katër yje
Tiranë, 24 korrik - Ky sezon turistik ka ardhur më i pasur në informacion për pushuesit, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të gjithë ata që e shohin Shqipërinë si një nga destinacionet për të pushuar, mund të marrin detaje të sakta lidhur me cilësinë dhe mundësitë që ofrojnë resortet apo hotelet në vend.
Shoqata shqiptare e Turizmit dhe Ministria e Kulturës në bashkëpunim me programin e USAID kanë bërë të mundur vendosjen e yjeve të hoteleve, pas kontrolleve dhe inspektimeve për kriteret e plotësuara.
Inspektimet janë realizuar nga një grup ekspertësh të pavarur të trajnuar nga ekspertë ndërkombëtarë mbi sistemin e markës dhe cilësisë. Deri tani janë vlerësuar 100 hotele ku cdokush mund të informohet për yjet që mbajnë dhe hollësitë e tjera të nevojshme për ditët e qëndrimit në Shqipëri, njofton "abcnews".
Nga ky klasifikim hotelet shqiptare janë vlerësuar mesatarisht me katër yje. Në faqen www.authenticalbania.com listohen të gjitha hotelet që kanë marrë Markën e Cilësisë, yjet e vendosura dhe klasifikimi sipas renditjes: Ar, Argjend dhe Bronz.
Në këtë faqe sqarohen të interesuarit, ku ndodhet hoteli, lehtësitë e ofruara në infrastrukturë, çfarë lejohet e çfarë ndalohet, si dhe aktivitetet apo mundësitë e tjera që ofrohen nga zona. Po ashtu jepet edhe informacion për karakteristikat dhe specialitetet për të cilat njihet hoteli.
Programi i Markës së Cilësisë "Authentic Albania" mbështet biznese të sektorit të turizmit në Shqipëri, duke ndërtuar një sistem që ofron standarde të cilësisë për produktet e hotelerisë, duke u ofruar bizneseve mundësi të reja për zhvillim.
Ky program do të jetë i pari i këtij lloji që vlerëson cilësinë e njësive akomoduese në Shqipëri. Struktura e Markës së Cilësisë "Authentic Albania" është ndërtuar mbi 37 kriteret ndërkombëtare të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, një iniciativë globale e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.