22 Dhjetor 2024

Hapet sezoni turistik në Sarandë

Sarandë, 12 maj - Qyteti i Sarandës u gjallërua nga veprimtaritë argëtuese, panair dhe muzikë, ku qytetarë të Sarandës, drejtues të pushtetit lokal, miqtë e ftuar, uruan në ditën e parë të çeljes së sezonit turistik në qytetin jugor për një sezon të mbarë.

Nënprefekti i qytetit bregdetar, Meto Nelaj, kryetari i bashkisë, Stefan Çipa dhe plot miq të ftuar, ndoqën të premten programin artistik në qendër të shëtitores dhe veprimtaritë interesante si; ndezja e pishtarit, vendosja e dritës në farin e limanit, muzika tradicionale dhe humori i krijuesve të qytetit. Përpjekje për një festë të mirëqënies, krijuan edhe mjediset me gatimet tradicionale përgjatë shëtitores.

Ideuar si një festë popullore, ceremonia e çeljes së sezonit shërbeu dhe si një paraqitje e prodhimit vendas të verërave, prodhimeve të detit dhe shërbimit hoteleri turizëm.

Bashkia e Sarandës, me fillimin e sezonit turistik, po synon dhe një qytet me imazh të përmirësuar së paku në zonën e shëtitores. Ndërsa subjektet private duken më investues në ndryshimin e verandave, zgjerimin drejt vijës së ujit, gjelbërimin e mjediseve dhe reklamimin e shërbimeve përmes internetit, duke ofruar ulje çmimesh për fillim sezonin.

Për sipërmarrësin Petrit Zejno, ajo që ndihmon shërbimin turistik është tradita, tradita e mikpritjes, e gatimeve të kuzhinës tradicionale me ushqime bio, pastërtia e ujërave të Jonit, dhe natyrisht qetësia e argëtimi në norma, që çdo pushues të ndihet mirë dhe natyrisht me dëshirën e rikthimit.

Në rrugëtimin përmes tryezave të panairit, të ideuar për nder të \"Midhjes së Butrintit”, drejtuesit lokalë dhe pjesëmarrësit këmbyen urimet për \"sezon të mbarë\" dhe natyrisht shijuan prodhimet në tryezat e përgatitura nga disa hotele e restorante të qytetit si dhe organizata e institucione te shërbimit publik.

Kryebashkiaku i qytetit bregdetar, Stefan Çipa, uroi qytetarët për një sezon me shumë pushues dhe natyrisht në bukuritë e Sarandës, ku ofrohen shërbimet për qytetarin.

Një dëshirë e mirë për të rikthyer në traditë një festë për midhjen, u pasua nga disa orë argëtimi të zhurmshme, me pika tregtimi të prodhimeve të skarës dhe shumë muzikë.

Çelja e sezonit do të vijojë sot me koncerte e jetë nate në lokalet buzë detit, duke mirëpritur si fillim pushuesit e parë që janë gjimnazistët maturantë.

Saranda ka diell dhe kthjelltësi të ujërave të Jonit në bregdetin shkëmbor, ka energji të reja të banorëve, që falë lëvizjeve demografike dhe emigrimit kanë sjellë plot kapitale dhe ide të mira nga vendet fqinjë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)