Hapet panairi i edukimit dhe panairi i nëntë i turizmit
Prishtinë, 18 prill - Në një ceremoni rasti sot në Prishtinë u organizua hapja solemne e edicionit të gjashtë të Panairit të Edukimit dhe të edicionit të nëntë të panairit të Turizmit.
Organizatorët e këtij panairi, vlerësuan se sivjet është rritur numri i ekspozuesve, e rrjedhimisht edhe oferta turistike qoftë verore apo për stinët tjera.
Përfaqësuesi i organizatës CEO, Lulzim Krasniqi tha se Kosova përfaqësohet mjaft mirë me shoqatën e turizmit, pastaj agjenci dhe hotele e po ashtu edhe shtetet tjera.
Shqipëria prezantohet nga Ministria e Turizmit dhe Agjencia kombëtare e turizmit. Zëvendës-ministri i turizmit, Abaz Hado, theksoi se qeveria shqiptare e ka në fokus të zhvillimit sferën e turizmit dhe në këtë drejtim janë bërë edhe investime të shumta. Ai ftoi turistët nga Kosova që edhe sivjet në mënyrë masive të vizitojnë bregdetin e këtij vendi.
Përveç bregdeteve tejet atraktive, turistët që vizitojnë Shqipërinë kanë mundësi të merren edhe me sportin rafting, apo lundrim nëpër rrjedha të lumenjve të rrëmbyeshëm me barka, apo gomone. Kështu thotë përfaqësuesja e Shoqatës Sportive Albania Rafting Group, Blerina Ago.
Ulqini vazhdon të jetë ndër vendet më tërheqëse për turistët kosovarë. Edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, iu bëri thirrje turistëve që edhe këtë verë të vizitojnë këtë komunë, që ai e vlerësoi qendër të shqiptarëve të Kosovës.
Në Panair merr pjesë edhe Ministria e Turizmit e Turqisë që prezanton një ofertë mjaft të pasur turistike.
Këto panaire, që do të qëndrojnë të hapura deri më 20 prill, ofertat e tyre do ti prezantojnë universitete të shumta vendore dhe të huaja, e po ashtu kompani turistike vendore, por edhe nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Turqia. ...