Gjermanët kryesojnë listën e turistëve të huaj që vizituan Turqinë
Ankara, 28 shtator - Në periudhën janar - gusht të këtij viti Turqia është vizituar nga 7.255.107 turistë të huaj ndërkohë Gjermania me 789.602 persona është renditur e para në mesin e vendeve të turistëve të ardhur në Turqi.
Me hapjen e fluturimeve pas procesit të normalizimit të koronavirusit (COVID-19), turistët që nga mesi i qershorit filluan të vizitojnë destinacionet më kryesore të turizmit në Turqi.
Sipas të dhënave të përpiluara nga statistikat e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për hyrje-daljet në vend, mësohet se Turqia në periudhën 8 mujore të vitit ka pritur 7.255.107 vizitorë, ku për shkak të COVID-19 është shënuar një rënie me 76.6 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë.
Në periudhën janar-gusht Turqinë e kanë vizituar gjithsej 9.271.660, përfshirë edhe 2.016.553 shtetasit turq që banojnë jashtë vendit.
Në periudhën 9 mujore numri më i madh i vizitorëve është shënuar nga Gjermania me 789.602 persona, e cila pasohet nga Federata e Rusisë me 772.686 dhe Bullgaria me 532.417 vizitorë.
Këto vende ndiqen nga Ukraina me 520.833 dhe Britania e Madhe me 465.180 vizitorë.
Nga 7.255.107 vizitorët e huaj që vizituan vendin, bëhet e ditur se 2.962.396 prej tyre kanë hyrë në Turqi në periudhën 3 mujore që përfshin periudhën qershor-gusht.
Ndërkohë 214.768 turistë kanë preferuar Turqinë në muajin qershor, 932.927 në muajin korrik dhe 1.814.701 në muajin gusht.
Pjesa më e madhe e turistëve gjermanë dhe rusë preferuan të kalojnë pushimet në brigjet e Antalies ndërsa turistët britanikë në brigjet e Mugla-s, Bodrum-it, Marmaris-it dhe Kusadasi të rrethit Aydin.
Në muajin gusht kur është shënuar hyrja më e madhe e turistëve të huaj në Turqi, qytetet që janë vizituar më shumë janë Antalie, Stambolli dhe Mugla.