"Gërmia" projekt i përbashkët i Komunës dhe WWF Adria
Prishtinë, 2 mars - Sot, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me Leon Kebe, projekt menaxher nga "WWF Adria" mbajtën konferencë për media, me ç'rast prezantuan projektin e përbashkët Protected areas for Nature and People (Zonat e mbrojtura për Natyrën dhe Njerëzit), për Gërminë e shpallur së fundmi pejsazh i mbrojtur.
Leon Kebe, në fjalën e tij tha se me këtë projekt synohet të afrohen zonat e mbrojtura më afër popullatës lokale, duke u ndihmuar që të gjejnë qëllime të përbashkëta, ambient për bashkëpunim të dyanshëm dhe të zhvillojnë plane për turizëm të qëndrueshëm.
Sipas analizave të WWF-it, Parku Gërmia është në mes të atyre parqeve që kanë potencial të madh dhe ne jemi të sigurtë që ne do ta kthejmë në park urban të shkëlqyeshëm, tha ai.
Parku Gërmia ka potencial të madh për gjenerim të vendeve të reja të punës, zhvillim ekonomik dhe potencial për edukim rreth vlerave natyrore, shëndetit dhe kulturore. WWF Adria beson se turizmi; rekreacioni dhe përfitimet shëndetsore nga parku nuk jane eksploruar në potencialin e duhur.
Plani ynë është që tu ndihmojmë komunës të krijojë oferta të mira turistike, rekreative dhe edukative, që mund të gjenerojnë zhvillim ekonomik në harmoni me konzervimin e natyrës, shtoi Redon Rezniqi nga Ecopana, koordinator i projektit Zonat e mbrojtura për Natyrën dhe Njerëzit në Kosovë.
Ndërkaq, Shpend Ahmeti, Kryetar i Komunës së Prishtinës theksoi në konferencë se Gërmia përfaqëson mushkëritë e qytetit.
Të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe më gjërë përdorin parkun si rekreacionin e tyre kryesor. Ne dëshirojmë të rrisim atraktivitetin e Gërmisë, duke u brengosur që ta ruajmë për gjeneratat e ardhshme. Është një rast i shkëlqyeshëm që të bashkohemi me WWF-in dhe të krijojmë një plan afatgjatë.
Parku Gërmia ësht ë anëtar i rrjetit të 63 zonave të mbrojtura nga rajoni Dinarik - Parqet Dinarike nga tetë vende të ndryshme.