23 Dhjetor 2024

Franca me ligj për ruajtjen e reputacionit të kuzhinës vendase

Paris, 21 korrik - Qeveria franceze po paraqet një ligj të ri për të ndihmuar në ruajtjen e reputacionit të kuzhinës vendase.

Një simbol i ri për menutë tregon kur ushqimi është i përgatitur tërësisht në restorant, në dallim nga rastet kur përdoren prodhime të para-përgatitura. Por, disa kuzhinierë nuk janë të kënaqur prej rregullave të reja.

Parisi është i njohur në mbarë botën për kuzhinën e tij të nivelit të lartë dhe ëmbëlsirat elegante, duke e cilësuar veten si kryeqyteti i kuzhinës. Por, deri tani, jo të gjitha menutë e restoranteve kanë treguar të vërtetën rreth asaj që ndodh në kuzhinë.

Qeveria franceze ka prezantuar një ligj të ri për të ndaluar prirjen në rritje të restoranteve që përdorin ushqim fabrike, duke e servirur si të përgatitur në kuzhinën e tyre. Ministrja franceze e çështjeve të tregtisë dhe konsumit, Carole Dega, thotë se një simbol i ri në menu do t’u tregojë klientëve nëse ushqimi i tyre është tërësisht i gatuar në restorant.

\"Në thelb, kjo do t’u japë klientëve një shenjë shumë të qartë që restorantet që kanë atë etiketë janë pikërisht ato restorante kuzhinierët e të cilave gatuajnë vërtet dhe nuk janë duke përdorur ushqime të parapërgatitura. Kjo gjë do të vlerësojë ekspertizën e kuzhinierëve profesionalë që dinë se si të gatuajnë dhe që dinë se si t’u japin produkteve vlerën e tyre të vërtetë,\" thotë ajo.

Logoja përfaqëson një tigan me një kapak në formë çatie.

\"Është për të dërguar një mesazh se Franca është një vend ku ne hamë mirë, ku ne kemi aftësi, sidomos aftësi për të gatuar. Menduam të ofrojmë një mjet praktik për turistët dhe vetë popullin francez, si dhe për të vlerësuar gatimin si një pjesë përbërëse të identitetit tonë francez,\" thotë ministrja.

Megjithatë, shumë njerëz të industrisë thonë se ligji nuk është i rreptë sa duhet, sepse ende lejon që artikuj menuje të përgatitur me ushqime të ngrira ose të qëruara apo të prera në fabrikë të paraqiten si të gatuar në kuzhinë.

Kuzhinieri Pierre Meneau i restorantit Crom\'Exquis në Paris thotë se ligji e bën shumë të lehtë për restorantet që të mashtrojnë.

\"Ky ligj është një goditje pas shpine. Është i padobishëm. Është bërë vetëm për qëllime komunikimi. Ka 60 vjet që kuzhinierët në mbarë vendin përgatisin gjithçka në kuzhinë, nuk është se nga sot do të bëjmë ndonjë gjë ndryshe,\" thotë ai.

Zoti Meneau mendon se rregullat e reja janë shumë të ngatërruara:

\"Kuzhinierët janë të paqartë rreth tyre, konsumatorët do të jenë edhe më të paqartë, kështu që ky ligj po shtun konfuzionin, sepse edhe pse ideja është e mirë – meqënëse duhet të ketë dallim mes ushqimit industrial dhe atij të përgatitur në kuzhinë – restorantet  me ushqim industrial do të mund të jenë në gjendje të etiketojnë disa prej artikujve të tyre si të gatuar.\"

Ndërsa UNESCO e përfshiu kuzhinën franceze në Listën e Trashëgimisë Botërore në vitin 2010, dy recesione në vitet e fundit i kanë shtyrë shumë kuzhinierë francezë të përdorin ushqime të para-përgatitura për të ulur shpenzimet.

\"Mendoj se prestigji nuk do të vijë nga një etiketë. Prestigji do të vijë nga reagimi i konsumatorëve. Synimi i etiketës së re është të ndalë mashtrimin nga ana e restoranteve, por kjo gjë nuk do të ketë sukses, sepse ata duhet të zbatojnë një proces verifikimi dhe të vijnë nëpër kuzhina për të parë nëse ushqimi është vërtetë i bërë aty,\" shton zoti Meneau.

Klientët e resotrantit Crom\'Exquis kishin opinione të ndryshme për ligjin. Laure Duquesne e quajti atë një mjet të dobishëm për kuzhinierët dhe konsumatorët, por thotë se varet se si ligji do të interpretohet.

\"Mendoj se nuk ka problem nëse përdoren produkte të ngrira për disa artikuj, por nuk jam dakord që kuzhinierët të përdorin produkte mbi të cilat nuk kanë kontroll, për shembull, ato të cilave nuk mund t’u kontrollojnë praninë e substancave shtesë,\" thotë ajo.

Legjislacioni i ri vlen për të gjitha llojet e restoranteve, përfshi ato të ushqimit të shpejtë. Parlamenti e miratoi ligjin më 17 mars dhe ai hyri në fuqi ditët e fundit. Restorantet dhe kompanitë e hotelierisë kanë kohë deri më 1 janar 2015 për të përshtatur menutë e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)