Brezovica ka borë
Prishtinë, 28 janar - Asociacioni për sporte ekstreme dhe aktivitete malore SCARDUS, ka hapur sot aplikacionin për dizajnin e posterit që do të promovojë aktivitetet e sivjetme SBX 2014.
BREZOVICA KA BORË është tema mbi të cilën janë ftuar të reflektojnë artistë, dizajner, studentë apo autodidaktë të çfarëdo moshe.
Dizajni fitues është paraparë të promovojë të gjitha garat dhe aktivitetet që do të organizohen në Brezovicë nga data 15 shkurt deri në fund të muajit mars.
Sivjet është hera e katërt që SCARDUS organizon gara në malet e Sharrit. SCARDUS gara të këtilla ka mbajtur edhe vitin e kaluar, kur Brezovica pati përjetuar një kolaps si rezultat i mungesës së energjisë elektrike dhe mos-funksionimit të teleferikëve.
Garat e vitit 2013 ishin cilësuar si triumfale, dhe patën dëshmuar seriozitet dhe vendosmëri të këtij asociacioni për të vazhduar punën.
BREZOVICA KA BORË është një tjetër shenjë që tregon për interesimin e SCARDUS për të promovuar jo vetëm garat dhe aktivitetet e veta, dhe Malet e Sharrit në përgjithësi.
Aplikacioni për dizajn posteri BREZOVICA KA BORË është i hapur deri me 3 Shkurt, ndërsa fituesi shpallet me 7 Shkurt. Përveç publikimit medial të posterit fituesit, autori fiton qëndrim dhe skipass dy ditor në Brezovicë për dy persona.
Gara për ski në kategorinë Parallel Slalom, që do të mbahet me 15 dhe 16 shkurt, fokusohet në mbështetjen dhe masivizimin e skiatorëve vendor, por mirëpret edhe skiatorë nga rajoni dhe bota.
SBX2014 përveç garave të rregullta në ski e snowboard cross në kategorinë e meshkujve, nga sivjet ka futur në garë edhe kategorinë e femrave në snowboard cross, që pritet të jetë një nga aktivitetet më interesante të muajit mars. Përveç garave, këtë vit do të ketë edhe shfaqje filmash si dhe ndeja për vizitorët.