Bregdeti shqiptar në rrezik nga anijet e huaja turistike
Tiranë, 6 gusht - Anijet e huaja turistike shkarkojnë ujërat e zeza përgjatë vijës bregdetare Vlorë-Sarandë, duke shmangur taksat e larta në vendet e Bashkimit Evropian dhe ky është shkaku kryesor i ndotjes së vijës bregdetare shqiptare, tha ministri i mjedisit Lefter Koka.
Duke shprehur shqetësim ai paralajmëroi marrjen e masave kundër anijeve të huaja.
\"Shqipëria nuk mund të monitorojë shkarkimin e ujërave të zeza apo mbeturinave të naftës në det, kjo është arsyeja pse anijet e huaja turistike abuzojnë.\" tha Koka.
Ai shtoi se kjo shkelje po ndodh dhe gjatë këtij sezoni veror për shkak të mungesës së pajisjeve të monitorimit dhe fotografimit të bregdetit.
Ministri premtoi se në bashkëpunim me policinë kufitare do të kryhen inspektime dhe patrullime gjatë vijës bregdetare për të ulur nivelin e ndotjes.