Bankat arabe interesohen për zonat tona turistike në Shqipëri
Tiranë, 22 prill - Bankat arabe vijojnë ende të kenë interes për projekte në Shqipëri, dhe kësaj radhe fatin e përfitimit të financimit e ka pasur sektori i furnizimit me ujë të pijshëm.
Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi firmosi dje kontratën me Bankën Islamike për Zhvillim, me vlerë financimi rreth 16 milionë dollarë.
Me anë të këtij projekti synohet përmasimi i shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizime për rreth 15 000 banorë aktualë të kësaj zone si dhe plotësimin e nevojave për një popullsi në rritje të Bashkisë Orikum deri në 53.000 banorë, shtuar këtu dhe 30.000 turistë që frekuentojnë këtë zonë gjatë sezonit veror.
Komponenti i parë i projektit synon furnizimin me ujë për 24 orë pa ndërprerje për qytetin e Orikumit, fshatrave të Radhimës, Tragjasit, Dukatit të vjetër, Dukatit të ri si dhe të zonës turistike Rradhimë-Orikum.
Janë 54.3 km rrjet i ri ujësjellësi që do të ndërtohet dhe që do të bëjnë të mundur furnizimin me rreth 150-220 litra ujë në ditë për frymë. 21 prill 2012