Antalia, qyteti i tretë më i vizituar në botë
Ankara, 14 nëntor - Antalia, qyteti i tretë më i vizituar në botë dhe qendër turistike e Turqisë, vizitohet çdo vit nga miliona njerëz nga të katër anët e planetit tonë.
Aeroporti Ndërkombëtar i Antalias, që gjatë vitit 2012 u shërbeu mbi 15 milionë udhëtarëve, vijon të rritet çdo vit paralelisht me numrin e turistëve.
Një nga perlat e Mesdheut, ku dielli i ngrohtë dhe bregdeti i mrekullueshëm ndërthuren me natyrën dhe historinë, Antalia është një qendër turistike me famë botërore falë edhe investimeve të jashtëzakonshme turistike.
Ky qytet bregdetar, i cili investimet e çmuara i pasuron me mikpritjen turke dhe shërbime cilësore, u ofron vizitorëve edhe mundësinë e turizmit alternativ, që po zhvillohet çdo ditë e më shumë.
Falë natyrës, historisë dhe kulturës së pasur, festivaleve ndërkombëtare dhe shërbimeve të zhvilluara turistike, Antalia është një parajsë ndërkombëtare pushimesh në rrëzë të Malit Taurus.
Me anë të investimeve në sektorin e shëndetësisë, që janë shtuar veçanërisht pas vitit 2002, Antalia është kthyer në një destinacion shëndetësor me teknologji të avancuar dhe standarde botërore, prej të cilit përfitojnë çdo vit dhjetëra-mijëra turistë.
Komplekset e Antalias ofrojnë në mënyrë të integruar çdo gjë në lidhje me shëndetin, që nga kurimi i kancerit, ndërhyrjet kirurgjike specifike, laboratorët e teknologjisë së lartë, metodat më të sofistikuara kuruese, e deri tek rehabilitimi i pacientëve pas kurës.
Antalia është regjistruar edhe në Librin e Rekordeve Botërore \"Guinness\", duke regjistruar më 1 mars 2013 numrin më të madh të organeve të dhuruara brenda një ore.
Ajo është shndërruar në një markë globale për sa i takon dhurimit të organeve falë edhe akademikëve me famë botërore dhe transplantimeve të suksesshme të organeve të rëndësishme.
Krahas fjalës më të fundit në teknologjinë mjekësore, Antalia ofron gjithashtu në mënyrën më moderne dhe cilësore shërbimet plotësuese të kujdesit shëndetësor.
Antalia nuk mjaftohet vetëm me institucione shëndetësore, që përdorin teknologjinë më të përparuar, mjekë të specializuar dhe personel shëndetësor të mirëkualifikuar, por vazhdon të mirëpresë edhe investime të reja në fushën e turizmit shëndetësor, për t\'u shërbyer sa më mirë të gjitha grup-moshave.