Amerika zhvillon verën kosovare
Rahovec, 9 korrik - Ndjenjë unike e një vendi, industritë e verërave dhe mikpritjes kosovare mundohen ta shfrytëzojnë në maksimum këtë formulë sepse vetëm disa prej tyre kanë mundësi ta bëjnë këtë.
Ata i kombinojnë këto dy të mira për hir të leverdisë ekonomike, posaçërisht në rastet kur turizmi i verërave paraqet një element kaq të fuqishëm për tërheqjen e turistëve, të cilët janë aq të etur për origjinalitet dhe që duan ta ndjejnë atë që është vendore dhe tipike kosovare.
Për ta përkrahur më shumë ekonominë në Kosovë, USAID-i po përpiqet ta bëjë pikërisht këtë gjë, duke e shfrytëzuar të kaluarën e pasur të këtij vendi për prodhimin e verërave si pikënisje për zhvillimin e mëtutjeshëm të potencialit turistik në të ardhmen.
Qëllimi kryesor është që Rahoveci, si regjioni kryesor për kultivimin e verërave në Kosovë, ta gjejë vendin e vet në këtë hartë. Në këtë mënyrë do të krijoheshin më shumë biznese, vende të (reja) punës si dhe do të rritej entuziazmi më së i nevojshëm për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe të familjeve më të varfra në këtë vend të dalë nga konflikti.
Turizmi i verërave nuk ka të bëjë vetëm me degustimin dhe blerjen e verërave. Turizmi i verërave ka të bëjë edhe me vizitat/shëtitë, akomodimin, ushqimin, rekreacionin, shopingun si dhe mundësitë e tjera për vizitorë. Turizmi i verërave mund të shërbejë edhe si parim organizativ, por edhe si mjet i fuqishëm për zhvillimin ekonomik.
Edhe pse ky koncept po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar në mbarë botën, ai mbetet ende koncept pothuajse i parealizuar në Kosovë.
Në Rahovec mikroklima unike e këtij regjioni e mundëson kultivimin e vreshtave të vogla dhe private si dhe prodhimin e disa prej verërave të klasës botërore, edhe pse shumë pak njerëz kanë dëgjuar për këto verëra.
Duke e bërë analizën e këtij regjioni kryesisht të varfër dhe bujqësor, Programi i USAID-it për Ndërmarrje Private në Kosovë (KPEP) erdhi në përfundim që një intervenim intensiv dhe me kosto të ulët jo vetëm që do ta vinte në pah industrinë tashmë të formuar të prodhimit të verërave, por edhe do të ndihmonte në krijimin e një destinacioni atraktiv turistik - një destinacion, i cili do të ishte në gjendje të mbështeste një segment më të gjerë dhe më të shumëllojshëm të ekonomisë vendore.
Ne e pamë mundësinë që kultivuesit e rrushit, prodhuesit e verërave si dhe bizneset e tjera mbështetëse të bashkëpunojnë për të krijuar një industri dinamike të turizmit të verërave, ka deklaruar për gazetën Valbona Rraci, specialiste e sektorit të turizmit në Programin e USAID-it për Ndërmarrje Private në Kosovë.
Ajo ka bërë me dije se në Rahovec USAID-i e ka mbështetur krijimin e task forcës, grupit punues për turizmin e verërave me zyrtarët e qeverisjes lokale dhe pjesëmarrësit e sektorit privat, të cilët morën përsipër rolin udhëheqës.
Projekti vuri në lëvizje një dokument strategjik, të lëshuar në fund të vitit 2010, i cili në atë kohë përdorej për ta avancuar më tutje interesimin dhe mbështetjen vendore. Pjesa më e madhe e përpjekjeve u fokusua në tejkalimin e skepticizmit vendor lidhur me potencialin transformues të turizmit të verërave, ka pohuar ajo.
Rraci ka treguar se USAID-i dërgoi një grup të përzgjedhur të palëve të interesuara në një vizitë studimore në Itali, ku anëtarët e këtij grupi patën rastin të shohin nga afër se si funksionon industria e turizmit të verërave, e cila është themeluar para shumë kohësh dhe e cila arrin vlerën prej 3. 1 miliardë dollarësh amerikanë.
Që nga fillimi i vitit 2011 Rahoveci është bërë me një qendër informative turistike, e ka krijuar faqen e internetit dhe ka filluar ta organizojë Festivalin Vjetor të Rrushit, Verës dhe Kulturës, ka thënë ajo.
Së paku me dhjetëra biznese kanë filluar të punojnë ose janë zgjeruar në baza të veçanta. Për shembull, po hapen hotele/motele të reja, të cilat ofrojnë akomodim dhe mëngjes dhe hotelet e hapura kohë më parë tashmë kanë filluar të organizojnë edhe degustimin e verërave.
Ndërkaq, tregtarët e verërave po hapin restorante dhe po i mirëpresin vizitorët për herë të parë. I kishim të gjitha resurset (e mbledhura) në një vend - duhej vetëm të dinim si ti përdorim ato, ka theksuar anëtari i task forcës, Aliriza Hasku, pronar i kompanisë për prodhimin e fuçive të verës Beha-N, e cila ka filluar të prodhojë orendi prej druri dhe suvenire me motive të verërave.
Vizitat dhe shëtitjet gjithëditore në regjion përfshijnë ciceronin, transportin, bodrumin, objektin e prodhimit dhe vizitat në vreshta, degustimin e verërave dhe drekën. Për grupet, të cilat përbëhen nga pesë gjer në shtatë vizitorë, vizitat shëtitëse kushtojnë përafërsisht 30 deri 40 euro për person, varësisht nga agjenda. Shumica e vizitave e shëtitjeve janë vizita ditore, meqë Rahoveci është rreth dy orë larg nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina.
Për vizitorët të cilët dëshirojnë të qëndrojnë edhe gjatë natës, çmimi në hotelet/motelet që ofrojnë akomodim dhe mëngjes është rreth 100 dollarë amerikanë për një natë. Deri më tani ky regjion, i cili nuk ka qenë i vizituar në të kaluarën, i ka tërhequr më shumë se 750 turistë ndërkombëtarë - një fillim modest, por mjaft shpresëdhënës, i cili jep shenja të mira për ekonominë vendore. Sipas vlerësimeve të USAID-it, gjatë 15 vizitave të para në këtë regjion shitjet kanë arritur vlerën prej 38 mijë dollarësh amerikanë.
Mendoj se turizmi mund të ofrojë burim të vërtetë të jetesës dhe të ardhurave për qytetarët e Rahovecit, ka theksuar Saranda Shala, një vajzë kosovare e emigruar në Kanada. Ajo është kthyer në Kosovë dhe është punësuar në zyrën turistike, e cila është ndërtuar në hapësirën e dhuruar nga një hotel vendor. Shala ka organizuar një vizitë shëtitje te prodhuesit e verërave për Klubin Ndërkombëtar të Grave, e kjo vizitë pati një jehonë mjaft pozitive.
Marlene Orsmond nga Cape Toun e Afrikës së Jugut ka deklaruar se kjo vizitë njëditore ishte një përvojë e mrekullueshme.
Rekomandimi im është që njerëzit të shkojnë nëpër vizita të këtilla dhe sa më përket mua, unë do të shkoja edhe një herë, ka pohuar ajo.
Ndërkohë, trajnimet e organizuara me mbështetjen e USAID-it dhe agjencisë homologe gjermane po u mundësojnë punëtorëve vendorë të turizmit dhe të rinjve të papunë të fitojnë shkathtësi specifike në fushën e marketingut, mikpritjes, shitjes me pakicë dhe menaxhmentit, meqë këto shkathtësi janë të domosdoshme për industrinë e turizmit të verërave. Potenciali i kësaj industrie për të ofruar punë, përfshirë këtu edhe punën e ciceronit, kamerierit të verërave dhe shitësit/tregtarit, ka një rëndësi të veçantë për të rinjtë vendorë, duke marrë parasysh faktin që shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve është rreth 50 për qind gjer 75 për qind.
Labinot Shulina, i cili e kultivon rrushin dhe i emërton shishet e verës me emrin e tij, ka theksuar se i është përgjigjur me entuziazëm iniciativës për turizëm të verërave. Edhe pse Shulina nuk ka realizuar ende të ardhura shtesë, ai beson se e ardhmja do të jetë mjaft fitimprurëse. Gjëja kryesore është që tani mund të identifikohemi si destinacion turistik, ka theksuar Shulina.
Tani Programi i USAID-it për Ndërmarrje Private në Kosovë po e redukton mbështetjen e drejtpërdrejtë dhe për këtë arsye sektorët privatë dhe publikë kanë marrë përsipër përgjegjësinë për ti mbështetur përpjekjet për zhvillimin e turizmit të verërave. Komuna, për shembull, tani ndan mjete për promovimin e turizmit të verërave.
Turizmi i verërave paraqet një mundësi të vërtetë për të pasur përfitime ekonomike dhe zhvillimore. Kjo është industri e re me potencial të madh, është shprehur drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Rahovecit, Musa Qena.(Afet BELA, Gazeta Epoka e RE)