Alpinizmi kosovar në pullë postare
Prishtinë, 7 shkurt - Emisioni më i ri i pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës sjell imazhe të alpinizmit kosovar. Ky sport në Kosovë, edhe përkundër vështirësive dhe rreziqeve, mbetet një ndër sportet e preferuara.
Në Kosovë alpinizmi zhvillohet në Grykën e Rugovës dhe në Prizren. Federata e Kosovës është anëtare me të drejta të plota në sistemin e UIAA.
Alpinizmi është aktivitet pothuajse atletik që kërkon aftësi të konsiderueshme psikofizike dhe të përdorimit të pajisjeve specifike.
Zhvillohet në shkëmbinj, akuj, mure të brendshme dhe cak kryesor e ka ngjitjen në një lartësi të caktuar. Alpinizmi përfshin: Ngjitjen në Gurë, Ngjitjen në Mure të Brendshme, Ngjitjen në Akull, Ngjitjen pa Litar, Ngjitjen Sportive, etj.
Pulla postare me imazhe të alpinizmit kosovar është lëshuar të premten në qarkullim.