23 Dhjetor 2024

Agjencitë turistike me oferta atraktive

Albulena S. Mavraj

Prishtinë, 7 korrik - Agjencitë turistike në Kosovë janë të gatshme të aranzhojnë pushime me çmime të volitshme në bregdetin shqiptar, por edhe në ato të huaja.

Sipas tyre, bregdetet më të preferuara nga vizitorët nga Kosova janë kryesisht Shqipëria, Turqia dhe Bullgaria, ndërkaq sa iu përket çmimeve, sipas tyre, ato janë të volitshme dhe variojnë nga 299 euro deri në 430 euro.

“Eurokoha” me çmime të favorshme dhe ekonomizuese

Agjencia turistike “Eurokoha” ka ofertë tërheqëse dhe mjaft ekonomike për qëndrim në bregdete. Sipas Arizana Selimit-Malsia, nga kjo kompani ofrohen çmime të favorshme ekonomikisht. “Ka çmime shumë të mira dhe ekonomike. Shtatë net në një hotel me 4 yje all inclusive, përfshirë aviobiletë, transferin, ushqimin dhe të gjitha, kushtojnë 299 euro. Kërkesa për t’i vizituar vendet bregdetare nuk është siç ka qenë më parë, por janë një kategori e njerëzve, klientë të ‘Eurokohës’, që zgjedhin paketë-aranzhimet. Vendet të cilat qytetarët tanë i kërkojnë më tepër janë Turqia dhe Shqipëria”, ka thënë ajo.

“Sharr Travel”  ofron ulje të çmimit të biletave për 20 për qind

Ruzhdi Kurtishaj, nga kompania “Sharr Travel”, ka deklaruar se edhe pse koha ishte e pafavorshme gjatë fillimit të sezonit turistik, kishte interesim për ta vizituar bregdetin shqiptar. Sipas Kurtishajt, kërkesat më të mëdha gjatë muajit qershor ishin nga grupmoshat rinore.

“Në fillim të muajit qershor kishte kërkesa që lidhën drejtpërsëdrejti me grupmoshën e re, ndërsa në pjesën e dytë interesimi ka qenë më tepër nga njerëzit e moshuar”, ka thënë ai. Sipas tij, interesimi më i madh i të rinjve është të shkojnë në Ksamil, Dhërmi, detin Jon, Timar, Qeparë etj. “Jugu është pjesa ku rinia kalon më mirë në pushime për shkak të ujit, lokaleve dhe muzikës së tyre të preferuar”, ka theksuar ai.

Kurtishaj ka bërë me dije se interesimi më i lartë në fillim ka qenë për Shëngjin dhe Velipojë. Sipas tij, nga fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut vërehet rritje e lehtë e kërkesave për detin Jon, përkatësisht për Sarandë, Vlorë, Ksamil.

Krahasuar me vitin e kaluar, sipas Kurtishajt, është faktori kohë që ka ndikuar në kërkesën e vizitorëve për bregdetin shqiptar. “Koha është një faktor që ka ndikuar drejtpërsëdrejti në numrin e kërkesave për t’u vizituar bregdeti shqiptar, pasi kah mesi i qershorit e patëm një kohë shumë të mirë dhe kërkesat kanë qenë shumë të mëdha”, ka potencuar ai. Ai ka bërë me dije se çmimet e biletave janë të njëjta me vitin e kaluar, përjashtuar Muajin e Ramazanit. Kurtishaj ka bërë me dije se kjo kompani, për hir të Muajit të Ramazanit, ka ofruar zbritje në çmimin e biletave për 20 për qind.

Çmimet aktuale, sipas Kurtishajt, vetëm për Muajin e Ramazanit janë: Velipojë, Shëngjin dhe Durrës bileta kthyese është 12 euro, përndryshe bileta është 15 euro. Bileta kthyese për në Sarandë kushton 30 euro, ndërkaq pas Muajit të Ramazanit do të kushtojë 35 euro dhe bileta kthyese për Vlorë është 20 euro, e pas Ramazanit do të kushtojë 25 euro.

“Kaltërsia Reiesen”, promotore e ofertave turistike

Drejtori i kompanisë turistike “Kaltërsia Reiesen”, Fidan Ibrahimi, ka deklaruar se këtë vit kanë pasur shumë oferta turistike për shumë vende të rajonit dhe vende të tjera. “Ne si agjenci kemi bashkëpunime të mira me të gjitha kompanitë që merren me turizëm për të bërë aranzhime të ndryshme, që kanë të bëjnë me Kosovën dhe vende të tjera. Këtë vit presim të ketë interesim të turistëve nga Kosova për t’i kaluar pushimet në bregdete të ndryshme”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka bërë me dije se këtë vit ka kërkesa për aranzhime në disa shtete. “Edhe këtë vit, sikur vitet e tjera, prin Turqia, e cila ka oferta të ndryshme, por edhe vendet e rajonit kanë ofruar aranzhime të tjera. Kosovarët më shumë kërkojnë çmime të lira. Ne ofrojmë aranzhime edhe për Bullgari”, ka theksuar ai. Sipas tij, për Shqipëri ka aranzhime, por afërsia dhe ndërtimi i rrugës ka bërë që turistët të rezervojnë aty për ty. Ibrahimi ka treguar se ka lloje të ndryshme të çmimeve, duke filluar nga 300 euro për një person.

“Fibula Travel” ka rritje të kërkesës për bregdetin turk

Elfatih Imami nga “FIBULA AIR Travel” ka bërë me dije se sa i përket bregdetit turk, interesimi më i madh është për vende të ndryshme si Antalia, Kemer, Belex, Hideavania. Sipas tij, krahasuar me vitin kaluar, fillimi i sezonit këtë vit ka qenë me kërkesa më të mëdha.

Sa iu përket çmimeve, ai ka deklaruar se variojnë nga 365 euro për një javë deri në 430 euro. “Çmimet sillen nga 365 euro për javë në hotele me 3 apo 4 yje, ndërkaq me 5 yje çmimet për javë sillen nga 430 euro për person. Ndërsa qytetet më çmimet më të lira janë Allania, e cila vizitohet nga të rinjtë, edhe Kemeri, që nuk i ka çmimet e shtrenjta”, është shprehur ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)