Agani dhe Muhaxheri bisedojnë për realizimin e projektit të teleferikut
Prishtinë, 10 mars - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka pritur në takim Kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin, ku u bisedua për gjetjen e mundësive ligjore për dhënien e pëlqimit për projektin e ndërtimit të teleferikut në këtë komunë.
Kryetari Muhaxheri, e njoftoi ministrin Agani me procedurat administrative, përkitazi me realizimin e këtij projekti, të cilin e quajti si projekt madhor për zhvillimin e turizmit, jo vetëm për komunën e Pejës dhe regjionit, por edhe për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Andaj, kërkoi nga MMPH-ja që të mundësojë zhvillimin e procedurave për mundësimin e pajisjes me pëlqim mjedisor, ngase traseja ku është paraparë të zhvillohet ky projekt, ndodhet në zonën e tretë të planit hapësinor të Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna, e me të cilën hapësirë menaxhon Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit, që vepron në kuadër të MMPH-së.
Ministri Agani tha se duke ditur rëndësinë e këtij projekti që pritet të zhvillojë turizmin malor, por edhe ndikim në zhvillimin ekonomik, do të angazhohet që në bazë të legjislacionit në fuqi dhe kompetencave ligjore, brenda pak ditësh të përgjigjet pozitivisht në kërkesën e kryetarit Muhaxheri.