Afati i ofertimit për Brezovicën shtyhet deri më 9 shtator
Prishtinë, 7 korrik - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) njofton se afati për dorëzimin e ofertave /propozimeve për Projektin Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës (PZHQTB), i paraparë më 7 korrik 2014 është zgjatur deri më 9 shtator 2014.
Kërkesat e kompanive / konsorciumeve të para - kualifikuara për PZHQTB-në për zgjatje të afatit për dorëzimin e propozimeve bazohen në nevojën e tyre për një periudhë shtesë kohore për shkak të aranzhimeve financiare të cilat janë të domosdoshme për ekzekutimin e PZHQTB-së.
Mbi këtë bazë, Komiteti Drejtues Ndërministror (KDNM) me arsyetimin se kërkesat e kompanive / konsorciumeve të para - kualifikuara për zgjatje të afatit për dorëzimin e propozimeve janë legjitime ka marrë vendim unanim që afati i ri për dorëzimin e ofertave / propozimeve për PZHQTB të caktohet data: 9 shtator 2014.
Për më shumë, në vendimin e KDNM-së thuhet se zgjatja e afatit ua mundëson ofertuesve të para-kualifikuar që të finalizojnë propozimet e tyre e që rrjedhimisht do të ndikojë në rritjen e cilësisë së ofertave/propozimeve e të cilat do të përmirësojnë mjedisin konkurrues për Projektin, njëkohësisht duke mos penguar përmbushjen e objektivave të tij.
PZHQTB -ja është shpallur projekt me rëndësi kombëtare nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe implementimi i këtij projekti do të ketë ndikim të konsiderueshëm pozitiv në zhvillim ekonomik të Kosovës.