86 mijë vizitorë në hotelet e Kosovës për tre muaj
Prishtinë, 5 dhjetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë në Kosovë për periudhën TM3 2019.
Në tremujorin e tretë të vitit 2019 (TM3 2019) pjesë e anketës ishin 216 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës.
Pjesa më e madhe e hoteleve gjenden në rajonin e Prishtinës, Pejës, e kështu me radhë.
Në TM3 2019 numri i vizitorëve vendorë dhe të huaj ishte 86 075, prej tyre 37.28% ishin vendorë dhe 62.72% ishin të huaj.
Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 155 784 netë, prej tyre 31.78% nga vendorët dhe 68.22% nga të huajt.
Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka Rajoni i Prishtinës me 35 268 vizitorë dhe 63 037 net-qëndrime.
Numri më i madh i vizitorëve të huaj vijnë nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, etj.
Këtij publikimi i është bashkangjitur edhe një shtojcë e veçantë, që përmban të dhëna nga Policia e Kosovës, lidhur me numrin i vizitorëve të huaj, sipas pikëkalimeve kufitare gjatë vitit 2017-2018.