232 mijë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë në muajin janar
Tiranë, 4 mars - Numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë u rrit ndjeshëm në muajin janar, duke sinjalizuar një tendencë pozitive të turizmit edhe në fillimin e këtij viti.
Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), në Shqipëri kanë hyrë gjatë muajit janar 2018, 232 mijë shtetas të huaj, një rritje me 34.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Hyrjet në Shqipëri dominohen prej vizitorëve nga vendet fqinje duke zënë rreth 75% të numrit të përgjithshëm të vizitorëve të huaj gjatë janarit.
Turizmi kulturor zë vendin e parë në stinën e dimrit për numrin e vizitorëve por jo vetëm kjo stinë.
Destinacionet kryesore të vizituara nga ture të organizuara kulturore janë Shkodra, Lezha, Kruja, Durrësi, Tirana, Fieri, Berati, Elbasani, Korça, Përmeti, Gjirokastra, Saranda dhe Vlora.
Hyrjet në rrugë tokësore të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në muajin janar 2018, zënë peshën më të madhe të hyrjeve, gjithsej me 79,8 %, ndërsa hyrjet në rrugë ajrore zënë 16,6 % dhe ato detare zënë 3,6%.