Turqia ul ndjeshëm deficitin tregtar
Ankara, 15 korrik - Deficiti tregtar turk vazhdoi të ulej në muajin maj duke arritur në total, në një periudhë pesëmujore një tkurrje në mbi 38 për qind, por përkeqësimi i kushteve për eksportet ka hedhur dyshime mbi qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes, që është si Thembra e Akilit për vendin, njofton e përditshmja turke Hürriyet.
Sipas të dhënave të nxjerra nga Banka Qendrore (TCMB), deficiti tregtar i Turqisë ishte 3,43 miliardë dollarë në muajin maj, duke ndryshuar në mënyrë drastike nga parashikimet, që e kishin llogaritur në katër miliardë dollarë.
Deficiti i përgjithshëm për periudhën janar-prill ishte 19,8 miliardë dollarë, duke pësuar një rënie prej 12,4 miliardë dollarësh në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti në muajin maj shënoi një rënie prej 55 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të shkuar, ndërsa në një periudhë pesëmujore pësoi një tkurrje prej 38,5 për qind.
Gjithnjë sipas Bankës Qendrore të Turqisë, faktori kryesor për këtë rënie është sektori i shërbimeve. Rritja e partneritetit tregtar të Turqisë me Evropën, së bashku me një lirë turke të dobët, rrit kërkesën për mallra turke.
Bazuar në të dhënat e nxjerra kohët e fundit në bazë të muajit maj, deficiti mujor i tregtisë së jashtme është 7,1 miliardë dollarë, me një rënie prej 28,7 për qind nga viti i kaluar. Megjithatë, rritja e rrezikut gjeopolitik, sidomos nga dhuna dhe trazirat politike, që i kanoset sigurimit të biznesit në Irak, ngre frikën për qëndrueshmërinë e vendit për të qenë në gjendje të mbajë të njëtrajtshme performancën e fuqishme të eksporteve në gjysmën e dytë të vitit.