Trazirat në Egjipt ndikuan në rënien e bursave në Azi dhe Europë
Frankfurt, 4 korrik - Trazirat e vazhdueshme në Egjipt ndikuan në rënien e ndjeshme të bursave sot në vendet aziatike dhe ato europiane.
Shqetësimeve iu shtuan edhe pasiguria rreth fatit të koalicionit qeverisës në Portugali. Çmimi i naftës bruto kapi sot nivelet më të larta të 14 muajve të fundit.
Në bursën e New Yorkut çmimi i një fuçie naftë bruto arriti në mbi 102 dollarë. Analistët thonë se investitorët janë të shqetësuar se trazirat në Egjipt mund të ndikojnë tek furnizimi global me naftë përmes Kanalit të Suezit, një pikë kyçe tranziti për naftën nga Lindja e Mesme.
Bursa e Hong Kongut ra me 2.5 përqind, ndërsa tregjet në Frankfurt, Londër dhe Paris ranë mbi 1 përqind.
Investitorët evropianë ishin veçanërisht të shqetësuar nga paqëndrueshmëria politike në Portugalinë e zhytur në borxhe, pas dorëheqjes së dy ministrave këtë javë për shkak të masave shtrënguese ekonomike të qeverisë së kryeministrit Pedro Passos Coelho.
Po ashtu ekonomia globale është ndikuar edhe nga rimëkëmbja e ngadaltë ekonomike e Kinës, ekonomia e dytë më e madhe e botës dhe nga recesioni në Evropë. Investitorët po ashtu po shprehin shenja nervozizmi për shifrat e reja të papunësisë në Shtetet e Bashkuara, që dalin të premten.