08 Janar 2025

Sistemi i dobët ligjor largon investitorët e huaj

Prishtinë, 18 tetor - Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët qysh nga viti 2005. Në raportin e fundit të progresit për Kosovën thuhet se kjo rënie nuk ka ardhur si pasojë e krizës ekonomike evropiane, siç arsyetohen zyrtarët e Qeverisë së vendit, por ka të bëjë kryesisht me sistemin e dobët ligjor në këtë vend.

Ky raport hedh poshtë lëvdatat e zyrtarëve të Ministrinë së Tregtisë dhe Industrisë, që thonë se kanë bërë punë të mirë për të përmirësuar klimën biznesore në vend.

“Investimet e huaja direkte neto në Kosovë kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët që nga viti 2005, deri në 4.3 për qind të bruto produktit vendor BPV”, tregon raporti i progresit.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nga viti 2007 deri 2012, investimet e huaja direkte në Kosovë kanë rënë për më shumë se 200 milionë euro.

Sidoqoftë, një rritje e këtyre investimeve vërehet në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013, ku në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2012, ka rritje të investimeve të huaja për rreth 40 milion euro.

E kjo rritje, sipas zyrtarëve të Qeverisë, ka ardhur si rezultat i punës së tyre. Valdrin Lluka, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Promovimin e Investimeve në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë, thotë se arsyeja e rënies së investimeve të huaja në vitin 2012 në krahasim me vitin 2013 ka qenë pasojë e krizës ekonomike në Evropë.

Por diçka tjetër thotë raporti i progresit, sipas të cilit problemi është tek sistemi i dobët ligjor në Kosovë. “Sistemi ligjor vazhdon të ketë probleme me efikasitet me vonesa të rasteve të pazgjidhura. Pastaj janë edhe zbatueshmëria e dobët e kontratave që ka mbetur një nga shqetësimet kryesore të kompanive dhe investitorëve në Kosovë”, thuhet në raport.

Megjithatë, Lluka insiston se Qeveria ka bërë punë të mirë në përmirësimin e klimës biznesore prandaj edhe ka rritje të investimeve vitin 2013. “Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa në këtë drejtim dhe ato janë pasqyruar në raportin e fundit të Bankës Botërore “Doing Business 2013”, që ka ngritur Kosovën për 28 pozita më lart”, thotë Lluka. Madje sipas Llukës, të dhënat e regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit tregojnë se prej periudhës janar-gusht 2013, si rezultat i investimeve të huaja, janë punësuar 834 punëtorë, në sektorë të ndryshëm, si ndërtimtari, financa, hotelieri, tregti, etj.

Raporti i progresit e paraqet Kosovën me papunësinë më të lartë në Evropë me 35 për qind të papunë, ku vetëm 10 për qind të rinj arrijnë të punësohen.

Raporti thotë se edhe atëherë kur ka investime të huaja, gjysma e tyre shkojnë në pasuri të patundshme dhe në ndërtim, 12 për qind tjera shkojnë në shërbime financiare, dhe vetëm 13 për qind në sektorë prodhues.

“Hyrjet neto nga investimet e huajadirekte kanë rënë dukshëm dhe edhe atëherë kur ka, ato shkojnë kryesisht në sektorët jo të tregtueshëm”, thuhet në raport.


/Zëri/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)