Shqipëri, bie ndjeshëm konsumi i mallrave
Tiranë, 14 maj - Banka e Shqipërisë vlerëson se qytetarët kanë vazhduar të pakësojnë shpenzimet për konsum edhe në tremujorin e parë të vitit duke sinjalizuar thellim të krizës ekonomike.
Në raportin e sapo publikuar të politikës monetare, Banka vëren se rënia e importit të mallrave për ushqime si dhe ajo e balancës së blerjeve në shuma të mëdha dëshmojnë për dobësim të mëtejshëm të kërkesës për konsum në ekonomi.
Rënia e kërkesës së brendshme, posaçërisht konsumit të familjeve dhe investimeve private është shkaku kryesor i ngadalësimit të ekonomisë në shifrat më të ulëta që nga viti 1997.
Nga gjeneratori i rritjes së shpejtë të prodhimit në vitet para krizës, kërkesa për konsum tashmë po prodhon efektin e kundërt ata të tkurrjes ekonomike. Shkaku kryesor i rënies lidhet me pasiguritë e larta që ka sjellë kriza tek familjet.
Por vitin e fundit, duket se ka edhe një tjetër arsye se pse qytetarët nuk blejnë dhe ajo lidhet me të ardhurat.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të vitit të kaluar të ardhurat e disponueshme të familjeve u tkurrën krahasuar me një vit më parë.
Ndonëse Banka vlerëson se ky tregues u përmirësua në tremujorin e fundit të 2012-ës, për një grup të madh familjesh, veçanërisht ato që kanë si burim të vetëm pagat, tkurrja e të ardhurave ka vazhduar.
Sipas shifrave zyrtare, vitin e kaluar, për herë të parë që nga 2006, paga mesatare në ekonomi u zvogëlua me 6.5 për qind.
Në raportin e fundit Banka vlerëson se pagat reale kanë vijuar të ulen edhe në tremujorin e parë të vitit duke tkurrur të ardhurat për të punësuarit veçanërisht në sektorin privat.