Rusia vazhdon kontrollet në McDonalds
Moskë, 21 gusht - Agjencia për sigurinë e ushqimit në Rusi ka thënë se është duke zhvilluar kontrolle të paplanifikuara të restoranteve McDonalds në rajonin Sverdlovsk.
Agjencia Itar-Tass citon Natalya Lukyantseva, zyrtare në agjencinë Rospotrebnadzor, të ketë thënë se kontrollet janë në zhvillim e sipër edhe sot.
Të mërkurën, Rospotrebnadzor ka urdhëruar pezullimin e operacioneve në katër restorante McDonald-s në Moskë, përfshirë edhe McDonalds-in e parë të hapur në Rusi, për shkak të, siç ka thënë, shkeljeve të shumta sanitare.
Një burim në Rospotrebnadzor ka mohuar të thotë nëse aksioni është hakmarrje për Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, që kanë vendosur sanskione ekonomike kundër Moskës për shkak të krizës në Ukrainë.
McDonalds ka thënë se është duke shqyrtuar vendimin për të kuptuar se çfarë duhet bërë që restorantet e tij të hapen sa më shpejt që është e mundur.
McDonald-s i parë në Rusi është hapur në Sheshin Pushkin të Moskës më 1990.
Kompania thotë se ai është më i frekuentuari në gjithë botën.