Rritet interesim i bizneseve të huaja për të investuar në Shqipëri
Tiranë, 13 korrik - Konfindustria shqiptare vlerëson se kriza globale që ka përfshirë prej vitesh vendet e zhvilluara të BE-së dhe sidomos vendet fqinj si Italia dhe Greqia, përveç problematikës shqetësuese, paraqet edhe mundësi të mira përfitimi për ekonomitë në zhvillim sikurse është ajo e Shqipërisë.
Arsyeja është se tashmë po ndeshemi me një shtim të ndjeshëm të gatishmërisë së bizneseve të vendeve të BE-së të kapura nga kriza për të transferuar kapitale jashtë vendit të tyre.
Konfindustria vlerëson se fluksi i interesit dhe kërkesave për të investuar në Shqipëri nga financime të huaja është rritur ndjeshëm nga viti në vit, me vazhdimin e krizës globale.
Në raportin krahasues të 5-mujorit të vitit 2013, me periudhën përkatëse të vitit 2012, të kryer nga Qendra e Studimeve të Konfindustrisë, rezulton se kemi një rritje prej 2-3 herë të kërkesave nga bizneset e huaja për të investuar në Shqipëri.
Shkaqet e interesit në rritje të investimeve të huaja në Shqipëri janë plotësimi dhe mbyllja e tregjeve të vendeve të BE nga kriza financiare globale, joshja nga sistemi fiskal favorizues me taksa të ulëta, fuqia më e lirë e punës dhe rritja e tregut të Shqipërisë drejt Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, etj.
Si pasojë e investimeve të rëndësishme në infrastrukturën rrugore dhe portuale, si dhe perspektiva e përfshirjes së Shqipërisë në projektet e linjave ndërkombëtare të gazit, energjisë, infrastrukturës.