Rritet deficit tregtar në Kosovë, arrin në 196,0 milionë euro
Prishtinë, 5 gusht - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare, ka publikuar Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin qershor 2013.
Publikimi për Tregtinë e Jashtme është i bazuar në të dhënat e Shërbimit Doganor të Kosovës dhe Korporatës Energjetike të Kosovës për energji elektrike.
Në këtë publikim është paraqitur rrjedha e eksportit dhe e importit për muajin qershor 2013.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për muajin qershor 2013 prej 196,0 milionë euro krahasuar me deficitin prej 187,6 milionë euro me periudhën e njëjtë të vitit 2012. Eksporti mbulon importin vetëm 11.9%.
Eksporti në muajin qershor 2013 kishte vlerën 26,3 milionë euro, ndërsa importi 222,4 milionë euro,çka do të thotë se është një rënie prej (-12.8%) për eksport, si dhe një rritje prej (2.0%) për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012.
Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: 43.7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 23.0% produktet minerale; 7.0% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.9% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 5.9% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.2% produktet bimore; 3.9% tekstili dhe artikujt e tekstilit, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: 18.0% e përbëjnë produktet minerale; 13.8% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.0% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.5% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.5% produktet e industrisë kimike; 6.0% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 4.9% produktet bimore; 4.5% mjetet e transportit.
Partnerët kryesorë tregtarë, sa i përket eksportit dhe importit në Kosovë, në raport me totalin e muajit, janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 36.8% për eksport dhe 40.2% për import. Ndërsa, vendet e CEFTA-së merr pjesë me 34.6% për eksport dhe 34.8% për import.
Përqindja më e madhe e eksportit ishte në Itali (22.9%); në Shqipëri (11.6%); në Indi (8.9%); në Maqedoni (8.9%); në Mal të Zi (8.1%); në Holandë (4.1%); në Gjermani (3.6%); etj.
Ndërsa, përqindja më e madhe e importit është nga: Serbia (11.4%); Italia (10.3%); Gjermania (9.6%); Turqia (8.5); Kroacia (7.4%); Maqedonia (6.9); dhe Kina (6.6%).