Rritën çmimet e naftës
New York, 1 gusht - Çmimet e naftës u rritën të mërkurën, pas një raporti që tregon se rritja e ekonomisë amerikane në tremujorin e dytë të sivjetshëm ishte më e lartë sesa pritej
Prodhimi i brendshëm bruto në ShBA u rrit me një normë vjetore 1.7 për qind në tremujorin e dytë, sipas një vlerësimi paraprak të shpallur të mërkurën nga Departamenti amerikan i Tregtisë. Analistët kishin parashikuar një rritje 1.1 për qind.
Tregu i naftës nuk reagoi shumë ndaj një deklarate nga Komiteti i Tregut të Hapur i Rezervës Federale (Fed), sipas të cilit Fed-i do të vijojë të blejë 85 miliard dollarë asete në muaj dhe do të mbajë një normë interesi tepër të ulët për të nxitur ekonominë.
Pas një takimi dyditor, politikëbërësit e Fed-it thanë në një deklaratë të mërkurën se veprimtaritë ekonomike në ShBA janë zgjeruar me një ritëm \"modest\" në gjysmën e parë të vitit.
Çmimi i naftës së lehtë bruto në Bursën e Nju-Jorkut u rrit me 1.95 dollarë amerikanë, duke arritur në 105.03 dollarë për fuçi, ndërsa i naftës Brent me 79 cent, ose 107. 70 dollarë për fuçi.