Rëndësia e politikave të investimeve në Kosovë
Vendi ynë ka nevojë për një ligj më gjithëpërfshirës për investime, duke i inkuadruar edhe investitorët vendor. Bazuar në praktikat e vendeve tjera, bazuar në ligjin e Investimeve të Huaja në Kosovë investitorët e huaj nuk duhet të trajtohen më favorshëm se investitorët vendor, tha Dita Dobranja, Hulumtuese në INDEP.
Dobranja prezantoi një analizë krahasuese duke ofruar pasqyrë të rregullimit të fushës legjislative në kontrast me vendet e rajonit dhe ato të BE-së.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi i legjislacionit dhe politikave në fushën e investimeve dhe zbatimi i tyre në Republikën e Kosovës. Përveç deputetëve anëtarë të Komisionit, në tryezë kishte përfaqësues nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Amerikane e Kosovës, shoqëria civile etj.
Ndërkohë, folësit në panel përbëheshin nga Kryetari i Komisionit zt. Zenun Pajaziti, Ministrja e MTI-së znj. Mimoza Kusari Lila, përfaqësuesja nga INDEP znjsh. Dita Dobranja dhe Zëvendës Ambasadori i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, zt. Jon Preston.
Progresi nuk është kënaqshëm, sfidë është zbatimi i ligjit dhe nevojitet konsistencë. Dallimi i Projektligjit për Investimet e Huaja me ligjin në fuqi qëndron në tri çështje kryesore, mbrojtja nga nacionalizimi, definimi i investitorëve të huaj dhe krijimi i Agjencisë për Promovim të Investimeve, u shpreh ndër të tjerash Kusari Lila.
Vetëm duke krijuar infrastrukturë të përshtatshme ligjore, ne do të mund të arrijmë të tërheqim investime të huaja që aq shumë i duhen Kosovës, theksoi ajo.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, tregoi edhe dallimin e Ligjit për Investimet e Huaja të miratuar në vitin 2006 dhe atij të propozuar.
Si pikë të parë të dallimit Kusari Lila potencoi se UNMIK-u në vitin 2006 i ka hequr nenet që mbrojnë investitorët nga Nacionalizimi dhe Eksproprijimi. Sipas shumë vlerësimeve, këto dy nene janë të domosdoshme për një investitorë të huaj prandaj kemi vendosur që ti kthejmë.
"UNMIK-u në atë kohë i ka hequr këto nene me arsyetimin se Kosova nuk është shtet dhe nuk mund të garantoj masa mbrojtëse për nacionalizimin dhe eksproprijimin, ka theksuar Kusari - Lila.
Dallimi i dytë sipas udhëheqëses së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është definimi më i detajuar për Investitorët e Huaj dhe e treta për çka është debatuar shumë në Kuvend është bashkimi i dy agjencive: Agjencisë për Promovimin e Investimeve dhe të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Agjencinë për Zhvillimin dhe Promovimin e Sektorit Privat.
Në anën tjetër, Kryetari i Komisionit, Zenun Pajazti shtoi se debati publik ndikon në cilësinë e ligjeve në Kosovë.
Debati për Ligjin për Investime të huaja do të kontribuojë në një ligj më kualitativ, mirëpo është e rëndësisë së veçantë të fokusohemi në arsyet e kthimit të ligjit nga Kuvendi, tha zt. Pajaziti.
Prezantimi i analizës krahasuese të INDEP, përveç tjerash vuri në pah rëndësinë e klasifikimit të diasporës si investitorë të huaj edhe nga Kosova, në linjë me praktikat e shteteve tjera.
Kjo analizë gjithashtu u fokusua në mangësitë e ligjit të Kosovës në krahasim me ligjet e rajonit, përmirësimet e të cilave do të e bënte Kosovën më konkurruese për investime të huaja në rajon.
Për të thithur më shumë investime, duhet hequr dogana për lëndën e parë për të gjitha produktet dhe TVSH duhet të paguhet në momentin e shitjes së mallit e jo në kufi, tha deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe njëherit anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Hashim Deshishku.
Tryeza është organizuar nga INDEP dhe Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri dhe është mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë.
Të bashkangjitur gjeni prezantimin e analizës krahasuese të ligjeve për investime të huaja nga INDEP. Versioni final i analizë do të publikohet javën që vjen.