Qindra miliona nga nafta industriale e dyshimtë
Prishtinë, 10 maj - Lirimi nga akciza dhe detyrimet doganore i vajit solar dhe naftës industriale ka bërë që këto dy lëndë djegëse të importohen me të madhe në Kosovë.
Burime të gazetës Zëri bëjnë të ditur se përveç se miliona litra të këtyre dy lëndëve djegëse hyjnë brenda vitit në Kosovë dyshohet se përzihet edhe me naftën normale.
Zyrtarë të Doganave të Kosovës pranojnë se nafta industriale dhe vaji solar importohet me të madhe në Kosovë, por që, sipas tij, ka rënie të importit.
Sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, importi i vajit solar për vitit 2012 ishte 9 milionë litra ndërsa i naftës industriale 37 milionë litra.
Sasia e përgjithshme e derivateve te importuara, sipas Stavilecit, është mbi 450 milionë litra (naftë dhe benzinë). Sipas zëdhënësit Stavileci, këto dy lëndë importoheshin nga kompanitë e mëdha të shitjes së naftës në vend.
Qe dy vite ka rënë dukshëm importi, kompanitë që importonin këto dy lëndë djegëse ishin kompanitë më të mëdha të naftës në vend, ka thënë Stavileci, duke mos përmendur me emër se cilat janë ato.
Mirëpo të dhënat doganore nuk flasin për rënie në numër të madh të këtij importi. Dallimi në shifra i importit të naftës industriale për tre muajt e parë të vitit 2012 dhe këtij viti është për tre milionë më pak këtë vit.
Tre muajt e parë të vitit 2012 naftë industriale ishte importuar 13 milionë litra ndërsa tre muajt e parë të këtij viti 10 milionë litra.
Ndërsa vaj solar tre muajt e parë të vitit të kaluar ishte importuar afër tre milionë litra ndërsa këtë vit 1 milionë e 100 mijë litra.
Importi i naftës industriale në vitin 2011 ishte 86 milionë litra ndërsa i vajit solar po këtë vit 2 milionë e 200 mijë litra.
Nafta industriale dhe vaji solar dyshohet se importohet më së shumti nga pikat kufitare në veri të vendit pika këto në të cilat nuk kanë kontroll vendorët.
Cilat janë kompanitë që janë të licencuara për importin e këtyre lëndëve djegëse, cili është destinacioni i tyre si dhe pse nuk paguhet akcizë dhe doganë për to, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë kanë hezituar të përgjigjen me gjithë insistimin e redaksisë.
Nuk mund të përgjigjemi tani, janë pyetje që marrin kohë, na i dërgo ne e-mailin zyrtar, shohim pastaj, ka thënë Bajram Shala. Këshilltarja e ministres Arta Istrefi, është arsyetuar se është në udhëtim zyrtar. Kurse Visar Bajraktari, shef i zyrës së lejeve të importit në MTI, ka thënë se nuk mund të përgjigjen pa marrë leje nga zyra e informimit.
Parim Bajrami, koordinator i naftarëve në Odën Ekonomike të Kosovës, nuk ka pranuar se kompanitë e shitjes së naftës të cilat janë të anëtarësuara në OEK importojnë lëndë të tilla.
Sa i përket anëtarëve të Odës Ekonomike të Kosovës nuk kemi informacion se dikush importon këtë lloj nafte. Jashtë anëtarësisë edhe mund të ndodhë për të cilat ne nuk kemi as interes ti hulumtojmë sepse nuk janë anëtarë tanë, ka thënë Bajrami.
Sipas tij, kanë informacione se naftë dhe vaj i tillë hyn nga pjesa veriore e Kosovës me të madhe, mirëpo ka thënë se nuk dinë saktësisht se sa është shifra që importohet.
Ai ka thënë se këto dy lëndë djegëse janë ndotës të mëdha të ambientit dhe në rast se ka përzierje të tyre me naftën normale atëherë janë shkatërruese për veturat.
Fadil Berjani nga kompania Dilloni Benz ka thënë se nuk importon lëndë të tilla mirëpo ka folur për rrezikun e tyre dhe përzierjen e mundshme të tyre me naftën normale.
Ka kompani të cilët kanë autorizimin nga Ministria e Tregtisë për vaj solar apo naftë industriale. Duhet pyetur Mimoza Kusari se kujt i ka dhënë licenca për import të këtyre dy lëndëve dhe kah po shkojnë ato, ka thënë ai.
Fakti që për importin e tyre nuk paguhet akcizë e as doganë, sipas Berjanit, i shtynë importuesit e naftës që të bëjnë edhe përzierjen me naftë normale. Një gjë e tillë, sipas tij, është e dëmshme edhe për buxhetin e Kosovës.
Ministria e Tregtisë është duke e prishur tregun, ata duhet të dalin me një qëndrim se kush po sjell naftë industriale dhe kush janë shfrytëzuesit e këtij produkti, ka thënë ai.
Ndërsa përfaqësues të dy kompanive të cilat konsiderohen si importues të mëdhenj të naftës në Kosovë Al Petroll dhe Hib Petroll nuk kanë dashur të përgjigjen për një gjë të tillë duke e mbyllur telefonin.