06 Janar 2025

Publikohet raporti për marrëdhëniet ekonomike tregtare

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), organizoj tryezë të rrumbullakët ku është publikuar analiza gjithëpërfshirëse “Kosova në Kontekst Rajonal: Marrëdhëniet Ekonomike dhe Tregtare”, me 12 shtetet e rajonit, me theks të veçantë në pozitën ekonomike të Kosovës përballë këtyre shteteve, karakteristikat dhe problemet e shkëmbimeve tregtare me shtetet fqinje, ato të CEFTA-së, ato që nuk e kanë njohur Kosovën dhe me bllokun e shteteve të BE-së në rajon.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari - Lila mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) me temë “Kosova në Kontekst Rajonal: Marrëdhëniet Ekonomike dhe Tregtare”.

Duke e cilësuar si studim tejet të rëndësishëm për vendim-marrje, zëvendëskryeministrja Kusari - Lila dha dy rekomandime për këtë raport” Së pari, Kosova në këtë studim renditet e fundit në rajon në reformat e të bërit biznes.

Studimi juaj merr një mesatare prej vitit 2008-2012 dhe pastaj nxjerr renditjen e vendeve e të bërit biznes.

Në të vërtetë, po ta shikoni  Raportin zyrtar të fundit të Bankës Botërore të të bërit biznes, që është raport njëvjeçar dhe jo katërvjeçar, dhe metodologjinë e përdorur, Kosova është vendi me përmirësimet më të mëdha në rajon që  ka bërë përmirësime të ndjeshme duke kaluar prej vendit 126 në 98, njëkohësisht duke treguar që nuk është vendi i fundit në rajon.

Sipas raportit, që mund të konsultohet online, e fundit në rajon është Bosnja që është në vendin e 126, pra rreth 28 vende më poshtë se Kosova.

Rekomandimi i dytë sipas zëvendëskryeministres është të citohen më shumë, për shkak të përdorimit të një numri të madh të dhënash.

“Një pjesë jo e vogël e studimit përmban të dhëna për të cilat nuk dihet burimi. Po ashtu shpresoj të shohim rekomandimet për përmirësimin e politikave tregtare dhe bibliografinë e plotë të studimit” theksoi ajo.

Më tutje, ministrja Kusari – Lila foli për ndryshimet pozitive të marrëdhënieve tregtare të Kosovës.

“Vendimi për Masat e Reciprocitetit shënon kthesë në politikat tregtare të Kosovës në kontekstin rajonal. Në mes tjerash, e arritura më e madhe e reciprocitetit është fakti që Kosova në tregti është shndërruar partner i barabartë tregtar jo vetëm me Serbinë e Bosnjën por me të gjitha vendet e rajonit” potencoi ajo.

Ministrja Kusari – Lila theksoi faktin tjetër të rëndësishëm për intensifikimin e dialogut publiko-privat përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik si dhe përmes nën-grupeve punuese për politika tregtare.

Për fund, ministrja foli për efektet e negocimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

“Tregtia e Kosovës do të ndikohet drejtpërdrejtë nga heqja e taksës doganore prej 10% në raport me mallrat e importuara nga BE-ja."

"Si rezultat i taksës doganore konsumatorët kosovar sot shpenzojnë rreth 100 milion euro në vit më shumë gjatë konsumit të produkteve nga BE-ja. Pas marrëveshjes një pjesë e madhe e kësaj shume do të mbetet në xhepat e konsumatorëve” përfundoi fjalën e saj ministrja Kusari – Lila.

Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë Sh.T. Jan Brahaathu tha se çështjet ekonomike janë fondamentale për Kosovën prodhimi i një raporti të tillë i kontribuon informatave të mirëfillta për gjendjen ekonomike në Kosovë.

Analiza pohon se gjatë viteve 2008-2012 në përgjithësi kishte një rritje ekonomike të Kosovës me mesatare vjetore prej 4.50% të shoqëruar me inflacion të lartë prej më shumë se 5%, çka edhe ndikon negativisht në rritjen reale të ekonomisë së Kosovës.

Ndërsa, në aspektin tregtar, autori potencon se gjatë periudhës pesë vjeçare, Kosova gradualisht dhe për një nuancë është integruar më shumë me vendet jashtë këtij rajoni ku përfaqësimi i këtyre vendeve në portfolion e përgjithshme tregtare të Kosovës është rritur për 3%.

Integrimi i tregtisë së Kosovës me vendet jashtë rajonit është bërë vetëm në favor të importit nga këto vende në Kosovë, ndërsa në aspekt të eksportit, janë vendet brenda rajonit ato që kanë rritur pjesëmarrjen e tyre në portfolion tregtare të Kosovës. Këtu theksohet se Turqia është i vetmi vend, në këtë rast bllok i rajonit, me të cilin Kosova e ka rritur integrimin si për importe ashtu edhe për eksporte.

Në aspektin e partneritetit tregtar, në vitet 2008 - 2012 Shqipëria qëndron e para për eksportin e Kosovës, përcjellë nga Maqedonia dhe Mali i Zi, ndërsa sa i përket partnerëve importues, tri të parët që nga vitet 2008-2012 janë Maqedonia, Serbia dhe Turqia, me një ngritje të ndjeshme të Serbisë.

Ndërsa për specifikat e mallrave ku Kosova është neto importuese e dukshme, thuhet se tregtia e mallrave industriale të Kosovës me rajonin është tri herë më e madhe se tregtia me mallra ushqimore.

Ndikimi i ndërtimit të autostradës ka rezultuar në rritjen e shfrytëzimit të pikës doganore me Shqipërinë por jo edhe në integrimin e ekonomive të të dyja vendeve.

Ndërtimi i autostradës sipas Kursanit ka ndikuar vetëm për përdorimin e territorit të Kosovës dhe Shqipërisë për përdorimin e territoreve të këtyre vendeve për importimin dhe eksportimin nga dhe në vende tjera.

Ndërlidhur me temën, në analizë thuhet se Hani i Elezit ka qenë pika më e shfrytëzuar doganore për import - eksport ku 51% e eksporteve të Kosovës kanë kaluar nga kjo pike, dhe 34% e importeve kanë hyrë në Kosovë përmes kësaj pike brenda viteve 2008-2012.

Në aspektin e pikave kufitare, nga analiza është konkluduar në kontrabandë dhe mospërputhje të shumta mes të dhënave tregtare me vendet e rajonit, apo edhe të mospërputhjeve statistikore zyrtare mes Agjencive të Statistikave të vendeve përkatëse me ato të Kosovës.

Gjithashtu është analizuar edhe reciprociteti 58 ditor me Serbinë, ku mallrat nga Serbia kryesisht janë zëvendësuar me ato nga Maqedonia dhe Kroacia, e më pak nga Greqia e Bullgaria. Ndërsa sipas kësaj analize, produktet nga Shqipëria apo Turqia nuk i kanë zëvendësuar produktet Serbe gjatë periudhës së reciprocitetit.  

Si një nga temat kyçe në zhvillimin ekonomik të vendit, investimeve nga jashtë, në analizë vlerësohet se Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë brenda periudhës 2008-2012 kanë shënuar rënie prej 37.61%, ndërsa IHD nga rajoni kanë shënuar një rënie më të vogël prej 11.55%, ku Turqia zë vendin e parë si investuesi më i madh, i përcjellur nga Sllovenia, Bullgaria dhe kështu me radhë.

Ky punim është vetëm fusha e parë nga pesë sosh që KIPRED është duke e bërë në lidhje me marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e rajonit, ku katër të tjerat (analizimi i marrëdhënieve politike të Kosovës me rajonin; analizimi i marrëdhënieve në sektorin e sigurisë të Kosovës me rajonin; analizimi i marrëdhënieve ndëretnike të Kosovës me rajonin; dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata dhe forume rajonale) do të publikohen ndërkohë deri  në fund të  vitit 2014. Këto publikime mbështeten nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)