Prioritet bashkërendimi në promovimin dhe mbështetjen e prodhuesve
Tiranë, 14 mars - Bashkërendimi i angazhimeve tona, në të mirë të promovimit dhe mbështetjes së bizneseve dhe prodhuesve shqiptar, do jetë në fokusin e prioriteteve tona, ka thënë ministri i Financave Besim Beqaj me rastin e vizitës së tij në Tiranë, ku po merr pjesë në hapjen e Panairit të Prodhimeve Shqiptare.
Gjatë vizitës në Republikën e Shqipërisë, ministri Besim Beqaj është takuar edhe me homologun e tij ministrin Shkëlqim Cani.
Në këtë takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy Ministrive të Financave, respektivisht qeverive të vendeve tona, shkëmbimeve tregtare ndërmjet bizneseve si dhe harmonizimin e politikave ekonomike dhe politikave fiskale.
Ministri Beqaj bëri të ditur se hapja e panaireve të tilla si dhe takimet me bizneset kanë për qëllim rritjen e këmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve tona, dhe me këtë rast u shpreh se dy qeveritë jemi thellë të përkushtuara për të krijuar një klimë edhe më të mirë, duke avancuar infrastrukturën ligjore dhe bashkëpunimin ekonomik dhe institucional.
Dy ministrat theksuan nevojën e nënshkrimit sa më të shpejtë të marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe realizimin e marrëveshjes nga mbledhja e përbashkët e dy Qeverive në Prizren për heqjen e tatimit në libra.
U theksua se marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë është harmonizuar nga ekspertët e dy ministrive dhe pritet që ti kalon procedurat e parapara në mënyrë që të krijohen kushtet për nënshkrimin e saj.
Në të njëjtën kohë dy ministrat kanë theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve dhe hartimin e legjislacionit i cili do të bënë të mundur që kjo të realizohet pa probleme dhe pengesa.
Në takim është folur edhe për nevojën e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave dhe informacioneve nga fushëveprimi i doganave dhe administratave tatimore të të dy vendeve.
Dy ministrat u dakorduan që ekipet e ekspertëve shumë shpejtë të ulen dhe të analizojnë legjislacionin nga fushëveprimi i tyre me qëllim të harmonizimit të tij dhe eliminimit të pengesave të mundshme.